Këtë të martë në Gjykatën e Posaçme u mbajt procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në dosje.

Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë dhe përfaqësohet nga avokati i tij. Gjatë seancës, përmes mbrojtësit ligjor, Ajola Xoxa i ka kërkuar gjykatës shtyrjen e çështjes dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor deri në përfundimin e periudhës së përcaktuar në një raport mjekësor që ka paraqitur, pas lindjes së fëmijës.

Sipas kërkesës së depozituar në gjykatë, Xoxa argumenton se dëshiron të jetë personalisht e pranishme në proces për të garantuar një mbrojtje efektive dhe nuk autorizon avokatët që ta përfaqësojnë në mungesë. 

Debatet në sallën e gjyqit:

Altin Dumani: Kodi i Procedurës nuk njeh ndonjë rast për këto rrethana. Jemi para situatës që e pandehura shpreh dëshirën që të jetë vetë në seancë. Është fakt që ky shqyrtim ka nisur që në shtator dhe e pandehura nuk është paraqitur në seancë edhe pse ka marrë dijeni gjithmonë. Vlerësoj se gjykata duhet të ndajë çështjen me të pandehur Ajola Xoxa që të vazhdojmë shqyrtimin për të pandehurit e tjerë.

Avokati i Ajola Xoxës: Përparësi në këtë moment ka e drejta për t'u mbrojtur dhe e pandehura dyshohet se ka kryer veprime me bashkëshortin e saj dhe për këtë arsye mendojmë se çështja nuk mund të ndahet. Nisur nga këto pretendime të palëve, Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi për të marrë një vendim për vijimim e seancës.

Gjykata vendosi të rrëzoj kërkesën e Xoxës për pezullimin e procesit dhe caktoi datën 21 korrik për seancën e radhës. Gjykata u shpreh se kërkesa e Xoxës ishte vetëm një raport për leje lindje por jo për pa aftësi.