Studime të ndryshme tregojnë se ndjenja e admirimit dhe habisë mund të sjellë përfitime të rëndësishme për shëndetin mendor dhe performancën në punë.

Sipas kërkimeve, përjetimi i emocioneve pozitive si admirimi ndihmon në zbutjen e efekteve të stresit dhe emocioneve negative. Momente të tilla mund të përjetohen gjatë një shëtitjeje në natyrë, duke dëgjuar muzikën e preferuar apo duke admiruar një peizazh apo një vepër arti.

Ekspertët besojnë se këto përvoja lidhen me mirëqenie më të lartë dhe, në afatgjatë, mund të ndikojnë pozitivisht edhe në shëndetin e përgjithshëm.

Ju bën më të sjellshëm me kolegët

Kur njerëzit ndihen të frymëzuar ose të mahnitur, priren të jenë më bujarë, më bashkëpunues dhe më etikë në vendimmarrje. Madje, një studim zbuloi se edhe një shëtitje mes pemëve të larta ndikoi që pjesëmarrësit të tregonin më shumë gatishmëri për të ndihmuar të tjerët dhe të silleshin më pozitivisht.

Rrit bashkëpunimin në punë

Një tjetër studim tregoi se këto emocione ndikojnë edhe në mënyrën si e perceptojmë kohën. Njerëzit ndihen më pak të nxituar, më të duruar dhe më të gatshëm për të bashkëpunuar.
Rezultati? Një ambient pune më mbështetës, ku njerëzit ndajnë ide, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe punojnë më mirë si ekip.

Ul stresin

Nuk është sekret që stresi është një nga problemet më të mëdha në punë. Lajmi i mirë është se momentet që na mbushin me habi apo emocion pozitiv mund të ndihmojnë në uljen e tij.
Sipas studiuesve, këto përvoja përmirësojnë humorin, rrisin emocionet pozitive dhe ndihmojnë në krijimin e një ekuilibri më të mirë mes jetës personale dhe asaj profesionale.

Nxit kreativitetin

Kur përballemi me diçka që na frymëzon, truri bëhet më i hapur ndaj ideve të reja. Pikërisht për këtë arsye, studiuesit e lidhin ndjenjën e admirimit me rritjen e kreativitetit.
Një studim i publikuar në Journal of Experimental Psychology zbuloi se një ecje në natyrë ndihmon njerëzit të gjenerojnë më shumë ide dhe të mendojnë në mënyrë më krijuese.