Pas ndarjes nga jeta të Valentino Garavani më 19 janar 2026, në moshën 93-vjeçare, bota e modës nuk u trondit vetëm nga humbja e një prej emrave më të mëdhenj të elegancës italiane, por edhe nga ajo që la pas, një testament që tashmë po komentohet gjerësisht në qarqet e larta europiane.

Sipas raportimeve të mediave italiane, stilisti legjendar ka vendosur që trashëgimia e tij e jashtëzakonshme t’i kalojë një trashëgimtari të vetëm fondacionit “Valentino Garavani, Giancarlo Giammetti Foundation”, me seli në Vaduz të Lihtenshtajnit.

Vendimi ka shkaktuar jo pak habi, pasi bëhet fjalë për një pasuri që përfshin vila luksoze, jahte, prona ndërkombëtare, llogari bankare, vepra arti dhe asete me vlerë marramendëse. Valentino, i cili nuk kishte trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, duket se e kishte planifikuar me kujdes fatin e perandorisë së tij shumë kohë përpara vdekjes.

Testamenti, sipas raportimeve, ishte dorëzuar më 29 mars 2023 te noteri zviceran Rolf Schneider në Gstaad, duke e vendosur procesin e trashëgimisë nën një strukturë ligjore të kujdesshme dhe tejet diskrete. Dokumentet e ekzekutimit u depozituan në Itali më 21 janar 2026, ndërsa më 15 prill fondacioni me seli në Lihtenshtajn pranoi zyrtarisht trashëgiminë.

Por edhe pse fondacioni rezulton trashëgimtari kryesor, Valentino nuk ka harruar njerëzit më të afërt të jetës së tij. Në testament parashikohen përfitime për disa persona të rrethit të tij të ngushtë, mes tyre partneri Vernon Bruce Hoeksema, bashkëpunëtori historik Giancarlo Giammetti, nipi Piero Villani, familja e Carlos Souza-s.

Mes aseteve më të komentuara është edhe Château de Wideville, kështjella e shekullit të XVI pranë Parisit, të cilën Valentino e bleu në vitin 1995. Prona, e konsideruar një nga xhevahiret e pasurisë së tij, pritet të shitet për të siguruar fondet e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve dhe dhuratave të parashikuara në testament.