Sa herë kemi goditur dikë, thjesht sepse nuk e përballojmë dot faktin që ai i ka themelet e forta dhe është pak më i mbrojtur nga cunami që ngre urretja njerëzore, sidomos nga ajo që lind pa shkak?

Sa herë një uragan i fortë ka përfshirë emocionet njerëzore që prodhon zilia, xhelozia dhe smira?

Dikush jeton në kasolle, dikush në apartamente apo vila me kushte më të mira, por përpara forcës së natyrës, na u drodhën themelet njëlloj.

Sa frikë që ishte!

Sa frikë që ndjemë!

Frikë, se mos humbnim këtë që jemi dhe këtë që kemi.

Prandaj, këtë që jemi e këtë që kemi duhet ta gëzojmë e ta mbrojmë fort, pa menduar se ç’është e ç’ka tjetri.

Kjo është e para kontratë e rëndësishme e paqes me veten.

Na u tronditën themelet të gjithëve dje; shtëpitë, zyrat ku punojmë, por, mbi të gjitha, na u trondit dashuria; mendimi i parë ishin fëmijët, dashuria e jetës, vrapuam të telefonojmë prindërit, miqtë, kolegët. Në njësinë e sekondës mendova fobinë time; sa mirë që nuk mbeta në ashensor e po në të njëjtën kohë, mendova mjekët në spital që operonin dhe të sëmurët që kanë qenë vërtet me dy këmbë në vdekje e një zemër në jetë, dje.

Ja ashtu, në një minutë, na u duk sikur na u shemb mbi kokë gjithë bota...

Jetën dhe vdekjen, në fund të fundit, një frymëmarrje i ndan. Zoti na tregoi që na do, kemi qenë me fat. Shqipërinë, një tërmet fizik do ta rrënonte. Kemi pak vite që përpiqemi të ngremë kokën e të bëhemi më të mëdhenj sesa na e ka përcaktuar harta gjeografike.

Por për një gjë na bëri mirë kjo tronditje;

Ishte një “shkundje” për të kuptuar se duhet të jemi më të mirë; më njerëzorë, më të ndjeshëm me mendimet tona ndaj atij që ka më shumë a më pak, ndaj atij që është më mirë apo më keq se ne, sepse në fund të ditës, pavarësisht misionit të gjithësecilit në jetë apo profesion, suksesit apo mosarritjes, pasurisë apo varfërisë, pushtetit apo mungesës së fuqisë; përpara vdekjes jemi të gjithë njëlloj. Dhe vdekja është një forcë natyre që s’të pyet kur vjen e troket në derë e të thotë me ironi “je veç pluhur në erë”.

Lum kush e kupton që nuk duhet të shkaktojë “tërmet”, me qëllim në jetën e tjetrit, thjesht sepse kjo e bën të ndihet mirë, i kënaq egon, e bën të nxjerrë jashtë vetes dufet dhe revoltat.

Çdokush në rrugicat e mistershme të heshtjes dhe vetmisë ka dhimbjet, dramat, vuajtjet e veta. Jemi të gjithë njëlloj.

Ky tërmet ishte një kambanë alarmi për shoqërinë tonë, për t’u bërë më të mirë.

Tërmeti gjithmonë trondit!

E ndietë sa i fuqishëm ishte përpara nesh?

Nëse e ke ndier dhe kuptuar njëlloj si unë, atëherë sot, me siguri, ke vendosur të jesh një njeri më i mirë dhe të thuash 1000 herë në heshtje:

“Zot, faleminderit, bekoji të gjithë njerëzit që dua!

Faleminderit Zot, që më dhe një tjetër shans për të jetuar dhe s’preke asgjë të shtrenjtë timen.

Do ta meritoj privilegjin e jetës dhe do jem, pa dyshim, një njeri më i mirë;

Për veten, pastaj për të tjerët”...

Është një zonë sizmike zemra dhe truri njerëzor, që duhet të vihet në lëvizje nga DASHURIA! Dashuria njerëzore le t’i tundë, le t’i shkundë dhe t’i tronditë shqiptarët. Është i vetmi tërmet që bën mirë.