Nuk dihet që kur ka nisur saktësisht tradita e dërgimit të letrave Babagjyshit të Vitit të Ri, megjithatë çdo dhjetor fëmijët anë e mbanë globit ulen për t’i shkruar në një copë letër dëshirat e tyre për vitin që vjen. Letra mendohet që shkon pa nevojën e ndonjë vule të veçantë drejt Polit të Veriut, aty ku mjafton të shkruash për Babagjyshin dhe postierët e gjejnë vetë plakushin me mjekër të bardhë, i cili me të marrë letrat fillon punën për të përmbushur dëshirat. Thesi i tij mbushet kështu shpejt e shpejt me gjithë objektet që fëmijët e mbarë kanë kërkuar për dhuratë dhe pasi të jetë mbushur Babagjyshi ose Santa Claus-i i hipën slitës së drerëve dhe nis udhëtimin nëpër botë duke hedhur dhuratat nga oxhakët. Megjithatë edhe kur nuk ka oxhakë ai e gjen vendin për t’i hedhur këto pako që përfundojnë poshtë pemës së Vitit të Ri. Vetëm që, kohët e fundit, dëshirat nuk mund të plotësohen vetëm nëpërmjet objekteve të thesit. Shumë prej tyre nuk janë të prekshme, apo të mbështjellshme me letër… Janë dëshira për t’u zgjuar çdo ditë pranë të dashurit, për të qenë gjithmonë të lumtur, për të parë prindërit të qeshur, për të fituar një konkurs…
Po ju, nëse do besonit, që Babagjyshi i plotëson dëshirat, çfarë do i kërkonit atij?





















