Po të jesh pjesë e mediave online, Alexa nuk është më një faqe e panjohur. Me renditjen e sajteve më të klikuara ajo të tregon ku je vetë dhe ku janë të tjerët. Dhe nëse e hapni tani këtë faqe dhe zgjidhni të shihni renditjen e web-eve më të klikuara në Shqipëri, në krye do të shfaqet Gazeta Express. Ajo ka qenë edhe dje. Edhe një muaj më parë. E kush e di prej sa muajsh është aty.

Për këtë aryse, menduam të flisnim me një nga themeluesit e saj, Berat Buzhalën, që është njëkohësisht edhe drejtues i kompanisë Media Works, që ka Gazetën Express dhe TV Express. Për të kuptuar më shumë nga ky sukses dhe për të mësuar rrugën e mbërritjes në këtë pikë. Duke filluar që nga nisja e saj.
Buzhala, me shkollim juristi, gazetarinë e ka nisur krejt rastësisht, pas takimit në rrugë me një mikun e vet gazetar, puna e të cilit iu duk joshëse atëbotë dhe kështu nisi të punonte te “Zëri”, ku qëndroi tre vjet dhe më pas, 1 vit, te gazeta Koha Ditore. Ai tregon që Express ka lindur fillimisht si një gazetë e gazetarëve, të indinjuar prej faktit që kishin lënë punët për një gazetë të re ku ishin ftuar sepse konsideroheshin më të mirët dhe pas tri javësh, kishin mësuar  që “Lajmi” i hapur nga biznesmeni Behgjet Pacolli, nuk ishte aspak parajsa e premtuar e rrogave 3000 Euro dhe lirisë së plotë editoriale. Ata ishin ende në Tokë, për të provuar Parajsën. Kështu që, të mërzitur, të papunë, duhet të sajoheshin me mundësitë e këtushme.

Si lindi, konkretishti ideja e gazetës Express?
Po atë mbrëmje e bëmë një plan, sigurisht më shumë nga frustrimi dhe jo sepse kishim diçka konkrete, që të fillonim një gazetë. Mirëpo me një angazhim të madh, me plot sakrifica, arritëm që pas 5 muajsh të botonim Gazetën Express, në formë të shtypur. Kemi qenë rreth 13 aksionerë. Pagat i kemi pasur skëterrë, mesatarja te 300 Euro, prej 3000 sa i kishim lënë te Pacolli. Kjo ka qenë një periudhë mjaft e rëndë, sidomos në aspektin financiar. Disa prej shokëve, në rrugë e sipër u larguan, disa të tjerë ngelëm. Mirëpo Express shumë shpejt kishte bërë emër të mirë në vendin tonë, ndonëse tirazhi linte shumë për të dëshiruar. Gjithashtu filluam të citoheshim shumë nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare. Shquheshim sidomos për layout më të bukur sesa gazetat tjera, e edhe për fotografi. Redaktor të parë të fotografisë kemi pasur Andrew Testa, sot redaktor në New York Times. Punonin edhe pesë fotografë të tjerë.

Ju vetë çfarë roli keni pasur në atë kotë?
Fillimisht unë kam qenë zv.kryeredaktor, për t'u bërë pas disa muajsh kryeredaktor.

Po sot?
Aktualisht jam aksioner në Express, bashkë me disa partnerë të tjerë dhe drejtor i kompanisë, e cila quhet Media Works e që ka pjesë të saj Gazetën Express, por edhe TV Express, që merret me produksion të emisioneve televizive, aktualisht shtatë syresh. Është emisioni Komiteti, që realizohet tri herë në javë, e që merret me aktualitetet politiko-shoqëror; pastaj është Zona Express, me autor Leonard Kerqukin, që merret me hulumtime, e që bëri emër mjaft shpejt në tregun e Kosovës; Express Rozë, një emision për showbiz, si dhe emisioni Me Shukin, që udhëhiqet nga ikona urbane e Prishtinës, Shuki.

Kur është kthyer gazeta nga e shtypur në online? Si e morët atë vendim?
Gazeta Express që prej ekzistencës së saj në shkurt të vitit 2005, në çdo mbrëmje e shkarkonte të gjithë edicionin e saj, në format PDF, në internet, në ora 6 në mbrëmje. Diaspora  jonë që nuk kishte mundësi asesi ta blinte gazetën e shtypur futej, pas orarit të punës dhe na lexonte online. Kjo bëri që ata të lidheshin me ne. Ne, gjatë asaj kohe, i kishim diku 30-40 mijë lexues ditorë. Pastaj, në vitin 2012, e ndërtuam webfaqen në të cilën postonim lajme ditore, jo me këtë intensitet të sotshëm. Në mars të vitit 2013 e mbyllëm tërësisht gazetën e shtypur, e cila na sillte humbje të mëdha, e reduktuam stafin maksimalisht dhe kaluam vetëm online. Sot kemi më shumë punonjës, sesa kishim në ditët më të mira të Express-it në letër. Fillimisht na përqeshën, sepse e panë këtë si një akt të fundit drejt mbylljes. Mirëpo sot, nuk po qesh më askush.

Te Alexa, gazeta Express është sajti më i klikuar në Shqipëri, mbi Facebook-un dhe Google-in madje, por thuhet që faqe të ndryshme kanë mundësi ta përmirësojnë pozicionin  e tyre kundrejt pagesës. Ju paguani apo keni paguar ndonjëherë për këtë qëllim?
Po të hapësh Alexa-n, të bie në sy se edhe sajti juaj është i 'certifikuar', që do të thotë se edhe ju e paguani Alexa-n për t'ju bërë matjen e duhur. Dhe jo vetëm ju, por edhe të gjitha sajtet e tjera që janë në renditjen e Alexa-s paguajnë një sasi të hollash, në mënyrë që Alexa t'u bëjë matjen në mënyrë precize. Këtë e bën edhe Gazeta Express, sikur gjithë të tjerat. Nuk paguajmë asgjë më tepër dhe asgjë më pak sesa paguani ju dhe sajtet tjera.

Sa gazetarë punojnë për Express-in aktualisht dhe si janë të shpërndarë ata në Shqipëri, Kosovë apo gjetkë?
Për mediat online, aq sa janë të rëndësishëm gazetarët, janë të rëndësishëm edhe stafi përcjellës, ose ata që merren me çeshtje teknike dhe teknologjike. Në këtë medium, aktualisht duhet të jenë në marrëdhënie pune rreth 60 persona. Shumica e tyre janë në Prishtinë. Gjashtë janë në Shqipëri. Dhe një në Maqedoni.

E pranoni që në median tuaj ka gabime, gafa, pasaktësi, abuzim? Ato ndodhin në përqindjen e gabimit njerëzor, apo më shumë prej presionit për të qenë të shpejtë dhe për të marrë klikime?
Janë të gjitha këto. Edhe vrapi pas klikimeve, edhe nxitimi për shkak të natyrës së punës, edhe gabimet brenda margjinës njerëzore. Po e përsëris, unë jam njëri prej kritikuesëve më të rreptë të Express-it. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë një gjë: sikur ne të silleshim sipas standardeve të atyre që qortojnë nga llozha, duke mos bërë gjë në jetën e tyre, Express-i nuk do të ekzistonte. Sigurisht që mëkati lindi bashkë me njeriun. Edhe gabimet lindën bashkë me Express-in. Mirëpo ne, sot komunikojmë me 1 milion vizita në ditë. Është rritur sasia e marketingut, e sigurisht edhe qëndrueshmëria financiare. Tash gradualisht po i trajtojmë gabimet dhe po i pranojmë edhe kritikat.

Ka pasur raste kur ju keni kërkuar falje për këto gabime?
Disa herë madje. Në një rast i kërkuam falje edhe Kryetarit të Prishtinës, me të cilin Express ka mospajtime të mëdha. Por kur gabuam dhe e akuzuam gabimisht, menjëherë e bëmë sqarimin duke kërkuar falje. Kemi bërë edhe kërkim falje të tjera.

Po dikush, ka ardhur me ndonjë padi për shkrimet tuaja? Si ka vijuar?
Çdo ditë. Tash së fundmi i morëm edhe tri padi të tjera. Gazeta Express e ka avokatin, të cilin e paguajmë në baza mujore, e i cili merret me lëndët tona.

Çfarë raporti keni me etikën? Ka diçka që nuk e postoni për shkak të saj, apo jeni të pamëshirshëm për hir të klikimeve?
Po përmirësohemi, aq sa po mundemi, por përmirësimi ka kosto financiare. Para tre vitesh, kemi qenë më keq, sepse kishim më pak para në dispozicion. Tash jemi më mirë, sepse kemi arritur që të kemi stabilitet financiar. Kemi hequr dorë nga postimi i lajmeve të llojit: Sex në rrugë, ose banalitete të tjera të kësaj natyre. Kemi angazhuar tash së fundmi edhe redaktor gjuhësor, që të përmirësohemi edhe në aspektin gjuhësor. Sigurisht që ka edhe shumë mëkate të tjera në këtë medium. E rëndësishme është që edhe më tutje jam i vetëdijshëm për ekzistencën e tyre.

Për dukurinë që titujt lënë të mendosh diçka ndryshe nga çfarë përmban lajmi, çfarë interpretimi keni?
Nuk është gjë e mirë. Kohë pas kohe, edhe unë irritohem me çfarë lexoj në Express. Por kjo gjë po bëhet gjithnjë e më rrallë.

Në fund të ditës, megjithatë, ju mendoni ajo që vlen është numri i klikimeve? Apo ka diçka tjetër që vlen më shumë?
Numri i klikimeve është shumë i rëndësishëm. Ne jemi krenar që jemi gazeta më e lexuar online në gjithë rajonin e Ballkanit. Në tri ditët e fundit, kemi pasur vazhdimisht më shumë se 1 milion vizita në ditë. Thyhem rekordin tonë, duke pasur 1 milion e 200 mijë vizita në ditë. Kjo është kënaqësi. Por shtrohet pyetja, çfarë do të bëjmë me këto vizita? Përgjigjja është kjo: Ne e kemi aktualisht vëmendjen e opinionit, të qytetarëve, prandaj po prodhojmë emisione televizive hulumtuese, kemi brenda Express-it gazetarë të njohur në hulumtime. Po shtyjmë pikëpamjet tona, që besojmë që janë të rëndësishme për qytetarët. Këto nuk do të mund t'i arrinim në asnjë formë, sikur fillimisht të mos kishim rendur pas klikimeve. Do të vdisnim të ndershëm dhe pa ndikim. Tash zëri ynë dëgjohet. Dhe zëri ynë është liberal, sekular, demokratik, tolerant...

Trafiku i vizitave ne gazeten Express, me 15 shtator

Mediat nëpër manuale kanë veç misionit të informimit, edhe të edukimit. Me temat që trajtohen e “zogu”-n të kthyer në fjalë titujsh e të tjera si këto, ju mendoni që ato manuale janë vjetëruar?
Nuk e besoj që e kemi përdorur zogun, me atë kuptim, në muajt ose ndoshta vitin e fundit, përveçse në kuptimin e tij të parë. Me një fjalë e kemi kaluar këtë fazë, por mos të harrojmë se mediat evoluojnë. Gazetat tradicionale, ato në letër, e kishin humbur para shumë kohësh komunikimin me lexuesit. Në formë të ndryshme, shpesh jo shumë të ndershme, ne e kemi kthyer lexuesin te 'gazeta'. Ata që futen për të lexuar për 'zogun', ekziston mundësia që pastaj të lexojnë edhe ndonjë analizë të mirë, ose ndonjë reportazh. Nuk e kemi ndërmend ta bëjmë Gazetën Express medium të mërzitshëm, ose medium për moshat mbi 80- vjeçare. Edhe këtë gjeneratë e mirëpresim me duar të hapura, por jo vetëm këtë gjeneratë. Mosha mesatare që e lexon Express-in aktualisht është prej 20 deri në 40 vjeç. Ata lexojnë varësisht se çfarë është aktuale. Gabojnë ata që mendojnë se lajmet Rozë përbëjne boshtin. Në Express, më së shumti, lexohen lajmet e ditës, pastaj rubrika e sportit, pastaj rubrika rozë.

Cilat janë lajmet që lexohen më shumë absolutisht?
Kur Noizy u rrah në Prishtinë me Babastars, ky ishte lajmi më i lexuar. Kur Nënë Tereza u shenjtërua në Vatikan, ishte ky lajmi më i lexuar. Kur ndodhin sulme terroriste në Francë, dalin këto lajmet më të lexuara. Kur luan futboll Kosova ose Shqipëria, atëherë ajo është gjëja më e lexuar. E kur ka zgjedhje, atëherë zgjedhjet janë më të lexuarat. Njerëzit nuk e kuptojnë këtë, ose nuk dëshirojnë ta kuptojnë. Qytetarët dëshirojnë të lexojnë lajme ditore që ata i konsiderojnë të rëndësishme, shumë më shumë sesa analiza të gjata dhe të mërzitshme politike.

Çfarë ndjesie keni kur hapni faqen e gazetës Express?
Trembem shumë nga ideja që do të has në gabime.

Çfarë raporti keni me copyright-in, kur merrni lajme prej mediave të tjera shqiptare?
Edhe ky është një problem mjaft serioz. Me katër-pesë media online, që kanë lexueshmërinë më të madhe, jemi marrë vesh që citimin e lajmeve ta bëjmë në mënyrë korrekte, sa herë e marrim prej njëri-tjetrit. Këtë, shumicën e herëve e bëjmë me hyperlink, siç bëhet edhe në botë dhe mundësisht të mos merret i gjithë teksti, por vetëm një pjesë e vogël. Sigurisht që pas një seleksionimi të natyrshëm, më të fortët do të ekzistojnë, do të ndodhë një vetërregullim edhe më i gjerë.

Çfarë doni të thoni, që zbatoni parimin “kush ka do t’i jepet më shumë dhe kush nuk ka, do i merret dhe ajo që ka”, por të përshtatur në një mënyrë jo të krishterë në rastin konkret?
Me "i forti le të fitojë" nënkuptova teorinë darviniane 'survival of the fittest' mbi teorinë e evolucionit, një lloj seleksionimi të natyrshëm. Në këtë rast, pas një kohe, unë besoj që në treg do të klasifikohen ato media që do të përzgjidhen nga lexuesit. Sigurisht që një rol këtu e luan edhe fuqia financiare, tek e fundit ne jemi shoqëri kapitaliste dhe nuk ka asgjë jomorale në këtë mes. Sikur në secilën industri, edhe në këtë industrinë tonë, është tregu, është konsumatori, ai që do të ta marrë dhe do të ta japë.

Konsideroni media të tjera shqiptare, rivale?
Për nga numrat e vizitave ndoshta jo, por për nga cilësia e lajmeve patjetër që po. Mirëpo Express sigurisht nuk do të ishte këtu, me këta numra, sikur të mos ishin disa sajte të tjera rivale në Kosovë, me te cilat kemi pasur një lloj gare të zjarrtë, por shumë korrekte.

Cilat janë ato?
Ne për një kohë të gjatë kemi konkurruar me dy-tri portale serioze te Kosovës, siç është Telegrafi, Indeksonline, ose tash së fundmi edhe Lajmi. Kjo na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë që të përmirësohemi.

Pse nuk llogarisni në mediat konkurrente ndonjë media të Shqipërisë?
Nuk ma merr mendja që thashë diku që nuk i llogarisim mediat e Shqipërisë si konkurrente. Gazeta Tema është një media mjaft serioze, e tillë është edhe Lapsi, e me sa pashë, në fushën që mbuloni, mjaft serioz dukeni edhe ju, siç është për shembull edhe Anabel në lëmin e saj. Për një kohë të gjatë, dominant në tregun online, madje edhe në atë të Kosovës, ka qenë edhe Balkanweb. Ky i fundit, sipas analizave të mia, edhe më tutje vazhdon të mbetet portali më i lexuar prej të gjithëve në Shqipëri, ndonëse po humb çdo ditë e më tepër, duke mbetur jashtë koordinimit me rrjetet sociale. Shumë shpejt, ekziston rreziku i madh, që Balkanweb-in ta ndjekë mallkimi i mediave të shkruara. Duke rezistuar që të përshtatet, do të harrohet. Një problem tjetër i simotrave tona në Shqipëri është se atje, nuk angazhojnë staf të mjaftueshëm për të prodhuar lajme. Kryesisht portalet atje shërbejnë si blogje të pronarëve, për të reaguar sa herë kanë nevojë. Express kishte mjaft lexues në Shqipëri edhe para se të hapte deskun në Tiranë, por tash ky trup lexuesish është dyfishuar, duke kaluar mbi 200 mijë vizita ditore vetëm në Shqipëri. Në faqen tonë Facebook, qyteti që na ndjek më së shumti është Tirana, është edhe Prishtina. Ne kujdesemi fort për detaje të tilla.

Ka një model ndërkombëtar media juaj?
Ndoshta Huffington Post, e cila në fakt është adresa e parë e kësaj forme të të bërit gazetari.  

Para ca kohësh, Ambasada e Turke në Prishtinë, kërkoi marrjen e masave ndaj jush për shkak të disa statuseve në FB. Nisemi nga kjo, por gjykojmë në plan të përgjithshëm, në ç’situatë është sot mendimi i lirë?
Për vetë faktin që asnjë gazetar sot nuk gjendet në burg në Kosovë, ose nuk është i persekutuar në ndonjë formë, ne duhet të themi që gjendja nuk është e keqe. Shikojeni Turqinë. Sigurisht që ka mundësi të përmirësohet, mirëpo sot askush nuk mund të thotë që ka censurë. Mund të ketë një dorëzim vullnetar, për qëllime personale, por kushtet për të bërë gazetari të pavarur, kurrë nuk kanë qenë më të volitshme. Kërkesa e Ambasades Turke ishte idiotike. E arriti qëllimin e kundërt.

Cili është mendimi i parë për gazetarinë sot dhe për medien online?
Gazetaria sot nuk i ngjan asaj që ka qenë dje, e sigurisht do të jetë ndryshe nga ajo nesër. Mirëpo, ndonëse ka shumë dezinformata, shumë gabime etj., qytetarët, falë kësaj gazetarie, informohen shumë më shpejt, sesa janë informuar në të kaluarën. Kjo sigurisht që ka edhe efekte anësore.