Kjo intervistë është nisur kohë më parë, atëherë kur Agon Channel Italia nuk ishte hapur ende, kur djali i vogël i çiftit Becchetti ishte tre muajsh, kur Agon Channel Albania ishte vetëm 1 vjeç... si një lojë numrash, kanë kaluar plot 11 muaj. Ishte menduar të botohej në revistën “Madame Mapo”, mirëpo shërbimi fotografik nuk arriti të realizohej në atë kohë, as pak më vonë e nuk u realizua fare! Si Francesco dhe Armela u treguan të gatshëm për intervistën, pyetje-përgjigjet e së cilës u shkëmbyen me email, meqenëse Armela jetonte në Romë, por largësia e saj, mosha e vogël e foshnjës, qëndrimi vetëm disa orë në Tiranë, edhe në ato raste kur vinte, nuk lejuan të mblidheshin disa orë të qeta për një shërbim fotografik dhe gjithçka mbeti pezull, sepse, megjithëse e para është fjala, në një revistë të printuar, fotografitë janë kushti që i vë në diskutim.

I jemi kthyer sërish asaj interviste, duke përshtatur ndryshimet e duke shfrytëzuar faktin që ca gjëra nuk ndryshojnë me kohën, si e shkuara apo materiali gjenetik... dhe prandaj kemi të njëjtin rrëfim për fillimin e historisë së tyre e të njëjtën formë perfekte të Armelës, ish-pjesëmarrëse në Miss Albania, tani nënë e dy fëmijëve, siç shihet në foton nga ceremonia e hapjes së Agon Channel Italia-s, pak muaj më parë. Çifti vazhdon të jetojë mes Romës, Tiranës dhe Bregut të Kaltër në Francë, por tani djemtë janë një vit më të mëdhenj, ndërsa projekti mediatik i Francesco Becchetti-t, një televizon më shumë. Megjithatë, dhe pse Francesco flet edhe për biznesin, kjo është një intervistë më shumë për historinë e tyre të dashurisë, për familjen dhe sekretet e vogla brenda mureve të shtëpisë, për të cilat presidenti i Agon Channel s’ka folur kurrë më parë dhe për të njohur Armelën, vajzën shqiptare që i ka rrëmbyer zemren.

Kombësia italiane e Becchetti-t nuk lë shumë vend për dyshime. Me siguri ka qenë ai që ka hedhur hapin e parë. Çfarë të pëlqeu më shumë te Armela, z.Becchetti? 

Në 2008-ën u njoha me Armelën dhe mbeta i mahnitur përveç bukurisë, edhe nga eleganca e saj. Fillova ta mikloja pa pushim. 

Francesco, pas njëfarë kohe, më ftoi për një shëtitje me barkë dhe unë në fillim i thashë po, më pas i thashë se bëra shaka, ai u ndje keq dhe u mundova shumë për ta rregulluar këtë gjë, për të cilën akoma vazhdojmë të qeshim shumë.

Disa muaj më vonë e bëmë atë shëtitje me barkë dhe unë Poncan dhe Kaprin e atyre ditëve të mrekullueshme nuk do t'i harroj kurrë, sikurse nuk do të harroj kurrë atë makinë ku ishin lidhur tollumbace në formë zemre në Paris, mbrëmjen e Vitit të Ri që kaluam për herë të parë bashkë, kur shkuam nga restoranti për të vizituar Harkun.

Si ka ndikuar në marrëdhënien tuaj origjina nga dy vende të ndryshme? Familjet si e shohin?

Fakti që u përkasim vendeve të ndryshme për nga historia dhe kultura e ka bërë marrëdhënien tonë edhe më interesante, më zbavitëse, ka më shumë ballafaqim, më shumë argumente për të diskutuar. Familjet tona kanë qenë mbështetësit tanë më të mëdhenj. 

Çfarë keni mësuar gjatë këtyre viteve bashkë, mbi kulturën e secilit?

Nga Francesco kam mësuar kulturën e sakrificës. Ai punon ditë e natë dhe, në fakt, ai përgjithësisht fle 3 orë në natë dhe rreth orës 3.30 ngrihet dhe fillon të punojë. 

Ndërsa Armela ka një lloj dhuntie pozitivizmi ngjitës, që e kam mësuar edhe unë tani. 

Ju keni një farë diference në moshë. Çfarë do të thotë kjo për secilin, si ndikon në marrëdhënien tuaj?

Të jesh në krah të një njeriu që të mbron me forcë nga gjithçka, por që në të njëjtën kohë ka një entuziazëm të papërmbajtshëm për sfidat e jetës, për mua është maksimumi. Francesco është guida ime, ndihem me shumë fat që jam pjesë e jetës së tij.

Nga hapja e Agon Channel Italia pak muaj me pare

Keni organizuar dasmë? Nëse jo, e keni në plan?

Nuk jemi martuar zyrtarisht, por sigurisht që e kemi në plan. Do të jetë pikërisht momenti në të cilin ne do të konfirmojmë marrëdhënien tonë të veçantë. Ku dhe si, është top secret.

Na tregoni diçka për fëmijët, ku kanë lindur, çfarë shtetësie kanë, kush ua ka zgjedhur emrat dhe si e kanë ndryshuar jetën tuaj? Çfarë babai është Francesco?

Po, kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, Reno (emri i zgjedhur nga i ati) 4 vjeç e gjysmë dhe Brando (emri i zgjedhur nga e ëma), 1 vjeç e pak. Reno flet rrjedhshëm anglishten amerikane, pak kinezçe, pak italisht dhe shqip. Kur Francesco ndodhet në Tiranë, Reno thotë se duhet të shkojë tek i ati për mbledhjet e punës!

Armela, keni zgjedhur për momentin t’i përkushtoheni plotësisht rritjes së djemve apo jeni e angazhuar me diçka?

Unë jam e diplomuar në Shkencat e Komunikimit dhe merrem me fëmijët dhe me organizimin e shtëpisë, ku gjithçka duhet të jetë e përsosur, sepse Francesco është një perfeksionist. Unë mundohem ta ndjek sa më shumë Francesco-n në udhëtimet e tij.

Si është jeta e ndarë midis dy vendeve? 

Kur jam larg Francesco-s, më duket kohë shumë e gjatë, kam fatin që në çdo moment mund ta arrij brenda një ore. Ne, sa më shumë të lëvizim, aq më shumë ndjehemi mirë. 

A e keni menduar karrierën në televizion?

Më pëlqen shumë televizioni, kam realizuar edhe një program zbavitës "Free Pass". Por parapëlqej ta ndjek televizionin pas kuintave, jam në kontakt të vazhdueshëm me Drejtoreshën e Kanalit, Andeta Radi, për këshilla mbi pamjen dhe gjëra të tjera të përgjithshme.

Dhe meqë jemi te televizioni, një pyetje për Becchetti-n. Përse vendosët të ngrinit një televizion (ndoshta ndonjë ëndërr e vjetër) dhe pse në Shqipëri? Çfarë mendoni për profesionistët shqiptarë?

Mendoj se një sipërmarrës që ka diçka për të shprehur, bën televizion. Investoj prej 20-vjetësh në Shqipëri, pra ishte vendi i duhur përsa u përket dimensioneve për të nisur një projekt që do të shtrihet në të gjithë Evropën, me qendrën produktive në Shqipëri. Ne, kur i bëjmë gjërat, i bëjmë me pasion, duke krijuar një grup prej 200 të rinjsh shqiptarë, të cilët bashkë me figurat protagoniste televizive, kanë krijuar një bashkësi të jashtëzakonshme që e bën atë një televizion të nivelit ndërkombëtar, i vetmi në Shqipëri. Një strukturë nuk është asnjëherë e plotë, por duhet të jetë gjithnjë në zhvillim. Unë jam i lumtur për këtë grup të krijuar dhe për përkushtimin e tij në këtë projekt dhe gjithashtu i kënaqur me dashamirësinë, me të cilën njerëzit na ndjekin nga ekrani. Unë do të tregoj që disa profesionistë të skuadrës sonë do të përballen me profesionistët italianë dhe në këtë përballje, ata do të dinë të dalin fitimtarë, sepse janë njerëz të zotë, të apasionuar që nuk i tradhtojnë kurrë pritshmëritë.

Ndoshta Agon Channel është i vetmi televizion, në një farë mënyre, që ka nisur të funksionoje i drejtuar nga gratë, një rastësi apo diçka e dëshiruar? Përse?

Jo, ka qenë një dëshirë. Gratë janë shumë të zonjat në punë, besnike dhe të dashuruara pas asaj që bëjnë dhe gratë shqiptare janë edhe më shumë se kaq, kjo është edhe arsyeja.

Pas kaq kohe në Shqipëri, është e qartë që ky vend është zgjedhja juaj. Çfarë ju pëlqen më shumë e çfarë më pak këtu?

Vij në Shqipëri që prej vitit 1993. Ajo që më pëlqen më shumë është që në Shqipëri ndihem si në shtëpinë time, ndihem i mbrojtur, ndjej ngrohtësinë dhe dashamirësinë e shumë miqve. Tek Shqipëria më pëlqen, sepse nëse do të realizosh diçka, ajo nuk është e paarritshme, por nuk më pëlqen zilia e atyre që janë në anën e gabuar duke krijuar një Bllok të ri, që fatmirësisht nuk ekziston më.

Familja dhe miqtë tuaj vijnë në Shqipëri? Si u duket ky vend?

Nëna ime është një mbështetëse e Shqipërisë dhe vjen gjithnjë. Përsa u përket miqve të mi, kanë ardhur shumë prej tyre për të vizituar Shqipërinë, kureshtarë të asaj që unë u kam treguar.

I kthehemi Armelës. Kush ju njeh nga afër, e di mirë që ju jeni gjithmonë, pavarësisht shtatzënive dhe lindjeve, në formë perfekte. Meritë e geneve apo e ndonjë regjimi të veçantë? 

Ndër shumë gjëra të bukura të jetës time, kam edhe fatin e mirë të jem gjithnjë e dobët, prandaj nuk pata kurrfarë problemi për të veshur të njëjtat veshje edhe pas lindjes. Në shtëpinë tonë, sporti është i detyrueshëm, edhe Reno fare i vogël vraponte së bashku me ne me karrocën e tij. Me Brandon shtova 9 kg dhe pas dy muajve, fillova stërvitjen dhe notin. Megjithëse stërvitja më e bukur për mua është të luaj me djemtë e mi në park dhe në pishinë.

Cili është stili i preferuar i veshjes? Përsa i përket rutinës së bukurisë, cila është ajo gjë nga e cila nuk hiqni kurre dorë? 

Stili im është i ndryshëm, nuk më ka pëlqyer kurrë të jem një tip i zakonshëm. Më pëlqejnë shumë xhinset dhe nuk heq dorë kurrë nga takat e larta 12 cm. Më pëlqen të kujdesem për veten, por pa e tepruar.

Për shopping dilni bashkë?

Po, pazaret, blerjet i bëjmë bashkë për njëri-tjetrin.

Cilat janë aktivitetet që mbushin kohën tuaj të lirë?

Për shkak të angazhimeve të shumta të punës, na mbetet pak kohë e lirë dhe ajo pak që kemi, ua kushtojmë fëmijëve dhe sportit.

Kush është kuzhinieri i familjes? Ka Francesco një recetë të preferuar nga kuzhina shqiptare?

Kuzhina është shumë e rëndësishme për familjen tonë. Francesco gatuan vetëm të dielave në drekë dhe tamam si një mjeshtër, sikurse në të gjitha gjërat që bën. Unë preferoj të koordinoj punën e kuzhinierit tonë me atë të shërbimit. Gatimi shqiptar më i preferuar i Francesco-s është byreku.

Si është shqipja e Becchetti-t? Me çfarë fjalësh të ëmbla ju drejtohet?

Francesco thotë se nuk kupton shqip, por ai merr vesh gjithçka. I adhuroj fjalët e ëmbla që Francesco më thotë, por që janë personale, ekskluzive të miat.

Nje foto e hershme e ciftit