Pjeter Jolanda Juncaj: Ç’ profesion tjetër do doje t’i shtoje koleksionit tënd? Cili do ishte profesioni që do bëje përveç atij që bën tani?
Do të kisha qenë mjeke me siguri! Më shumë e imagjinoj veten pediatre, të kujdesesha për fëmijët. Madje kam ndjesinë që në një jetë tjetër kam qenë mjeke:-) Megjithatë në art jam e kompletuar dhe e përmbushur!
Anna ZK: Ëndrra jote është të punosh gjithmonë në TV apo ke dhe ëndrra të tjera? Në qoftë se po, cilat janë ato?
Më pëlqen adrenalina e biznesit. Kam një forcë kreative që nuk resht asnjëherë, fantazi që është mbrujtur mirë dhe pasuruar me librat që më blinin nëna dhe babai që fëmijë! Kam shumë projekte dhe ide në kokë për sa i takon biznesit. Ka edhe një të veçantë në të gjithë këtë: dëshira ime për biznes lidhet me dëshirën time për të gëzuar njerëzit, për t’u dhënë shërbimin që meritojnë në këmbim të besimit, lidhet gjithmonë fort me atë që unë “e dua fort atë që bëj”, nuk sforcohem ta dua. Nëse s’më lëviz diçka në zemër, le të jetë biznes fitimprurës, nuk do ta bëja dot…Ky është një 10 vjeçar i rëndësishëm për mua!
Bruna Curri: Alketa, pse nuk e prezanton bashkëshortin dhe fëmijët?
Sepse i kam shumë të shtrenjtë për t’i ndarë me publikun që s’ka lidhje me ta përveç kureshtjes njerëzore. Që ne jemi bashkë të lumtur edhe pas 12 vitesh, është edhe sepse kemi ditur të mos kufizojmë njeri-tjetrin në gjëra që cenojnë lirinë e zgjedhjeve! I dashuri i zemrës sime :), ushtron një profesion tjetër jashtë kamerave, që mua më duhet ta respektoj!
Elsa Pepa: Po fëmijët pse nuk i njohim?
Sepse unë jam supersticioze dhe mendoj se i mbroj duke mos i ekspozuar. Pse duhet t’i nxjerr kopertinave? Çfarë të mire sjell kjo? Ata nuk janë instrumente që t’i përdor për famën dhe egoizmin tim. Kur të rriten mund ta vendosin vetë me koshiencë të plotë nëse emri dhe portreti i tyre do të jetë për konsum publik apo jo. Diskrecioni im është edhe një mënyrë për të mbrojtur gjërat e shtrenjta në vendin më të sigurt: në zemrën dhe shpirtin tim!
ERA Photography: Prej disa kohësh i jeni përkushtuar një biznesi mjaft të suksesshëm. Kjo ka ndodhur sepse keni kuptuar në kohë që bota e televizionit është e përkohshme apo kjo ka ardhur natyrshëm duke realizuar në këtë mënyrë një tjetër ëndërr tënden?
“Emri dhe puna ime duhet të kthehen në një brand garancie dhe suksesi përtej TV”. Kështu mendoja që 14 vjeçe! Njerëzit duhet thjesht që këtë emër ta lidhin me gjëra të bukura, të garantuara, të bëra mirë dhe me dashuri… të sukseshme! "Class by AV" është provë e kësaj filozofie të thjeshtë!

Florinda Gjeçi: Një femër e bën të bukur bukuria që ka apo me para mund të zgjidhet gjithçka?
Paratë janë thjesht mjeti që ndihmon në realizimin e një vizioni. Shkurtojnë kohë e zgjidhin pengesa, por nuk e blejnë dot as jetën, as lumturinë, as suksesin! Duket si klishe kjo, por është kështu...Paratë ndonjëherë, janë thjesht disa karta letre pa vlerë që mund ti djegësh në turrën e druve. Vijnë gjithmonë me punën. Kush punon do të shpërblehet! Bukuria pastaj, është një nivel i lartë ndërgjegjësimi për t’u kuruar; femrat mbërrijnë në një stad të caktuar pjekurie mendore dhe emocionale dhe pastaj shndërrohen në ato që meritojnë të jenë (thotë një mikja ime e mençur).
Margjela Ame: Ke shumë frymëzim në punën tënde dhe ke korur sukses, por meqënëse përflitet, pyetja ime është: merita mos u takon edhe operacioneve që ke bërë edhe pse je shumë e talentuar?
Operacioni i hundës 11 vjet më parë nuk është kriter suksesi:-). Suksesi varet nga talenti: talenti është një dritë që o e ka, ose nuk e ka të dhuruar nga natyra njeriu, sado të lodhet. Dikush lind me talent dhe punon “të bëhet”, dikush s’arrin dot e ngelet në tenativë. Puna ekzalton talentin!
Stela Screen: Sa operacione plastike ke bërë?
Një dhe vetëm një, hundën:-), por është pyetje shumë e lodhur kjo tani. Besoj është hera e fundit që i përgjigjem! Suksesi nuk është tek hunda, ju siguroj!
Egzona Shabani: A ka pasur raste kur bota është përmbysur për ju? Ku e keni gjetur motivin për të vazhduar më tej?
Fatmirësisht jo deri tani!
Denada Arifa: Arbana Osmanin e shikoni si rivalen tuaj ne boten e televizionit apo e konsideroni si një kolege që duhet vlerësuar dhe pse jo të mësoni nga ajo?
Për të mësuar nuk kam ç’të mësoj e as ç’t’i mësoj. Secila ka stilin e vet dhe publikun e vet. E vlerësoj sigurisht. Edhe Arbana ka arritur aty ku është prej punës dhe ambicies. I ka orientuar shumë mirë zgjedhjet e veta. I uroj me zemër një shtatzëni të bukur.
Ilda Mici: Definicioni juaj i lumturisë?
Pak bukë e thekur me djathë dhe një gotë verë pranë zjarrit, me fëmijët që hapin dhuratat poshtë pemës për Krishtlindje dhe me “dashurinë time” duke i dhuruar një pulovër kashmiriâ¤.
Ervis Dushku: Cili është projekti më i rëndësishëm i radhës në fushën e këngës? Kur do ta shohim Alketën me një projekt muzikor? Na mungojnë hitet tuaja
Te muzika kthehem vetëm për kënaqësi, por nuk është profesioni im. Në jetë kam vendosur t’u futem kokë e këmbë vetëm gjërave që bëj shumë mirë. Kënga nuk është pika ime e fortë.
Eralda Mehmeti: Alketa, është e vështirë të jesh një femër në karrierrë dhe njëkohësisht të kesh një familje të shëndetshme?
E thjeshtë nuk është! Kërkon në radhë të parë kompatibilitet në çift. Njerëzit kur duhen, duhet ta ndihmojnë njeri-tjetrin të rriten, jo të pengohen. Duhen dhe ndihma. Unë kam qenë shumë e ndihmuar. Të dyja gjyshet biologjike të fëmijëve, por edhe “nënat e ardhura”, më kanë ndihmuar pa fund. Pa to, nuk di si do të bëja. Kërkon dhe një aftësi të mirë organizimi. Është provë e vështirë, e bukur por edhe më kuptimplota, familja. E kam kaluar me sukses, e gëzoj dhe jam e bekuar!
Elsa Krasniqi: Mendoni që një eksperiencë ndërkombëtare në prezantim ose gazetari, do të ishte një stoli në karrierën tuaj të stuhishme? Ka mundësi të ndodhë?
Është globalizuar tani media. Sidomos kur i përket patentave ndërkombëtare ke ndjesinë që je në çdo kontinent sepse je pjesë e markave që konceptohen si një familje e madhe ndërkombëtare!
Besmir Isaku: Ku i kalonit pushimet verore gjatë fëmijërisë suaj? A ju kujtohen emrat e disa prej miqve të fëmijërisë në Korçë?
Në rrugët me kalldrëm të Korçës i kaloja. Me gjyshen që më bënte petanik që në mëngjes, që më sillte një tas me qumësht me përshesh buke pranë sobës ku flija, që për “zemër” më zbriste në oborr pak bukë me gjalpë të rrahur dhe domate Korçe, ndërsa në pushimet e Vitit të Ri, petkat e ngrohta dhe bakllavatë me peta të holla si fletë gazete. Tërë jetën do më ndjekin sensacionet e asaj fëmijërie të bukur, të lirë, e të shpenguar. Për emrat… jam pak keq me kujtesën, por i përshëndes të gjithë ata që më kujtojnë nga ajo kohë.

Aldo Aga: Cilat kanë qenë disa nga ngritjet dhe uljet që nuk i prisje në karrierë?
Nuk di të përgjigjem sepse mendoj që diagrami i karierrës sime vazhdon të jetë një kurbë ngritjeje dhe është një proces që nuk do mbarojë kurrë. Faleminderit Zot që deri tani nuk e kam njohur dështimin në asgjë që kam bërë brenda dhe jashtë televizionit. Puna më ka shpërblyer!
Egli Shahinaj: Përse vendosët të hapnit këtë biznes: për pasion, apo për më shumë fitime?
Për të parën më tepër, e dyta është rrjedhojë, por jo shkak....
Irene Fusha Përse duhet të zgjedhim Class?
Sepse Class është një zgjedhje e sigurtë përsa i përket cilësisë, produkti ofrohet me cmim të arsyeshëm, dhe shërbimi i klientit është bërthama e filozofisë tonë.
Klea Preci: Cili është emisioni që ju ka pëlqyer dhe ju ka përfshirë më tepër?
Emocionalisht “Më shumë dashuri”. Nga pikëpamja spektakolare X Factor-i dhe Dance Ëith Me!
Bessarta M.Gashi: Cili është misioni që i ke vënë vetes?
Të mos humbas njeriun që është tek unë! Të mbetem njeri i mirë!
Mirela Igrishti: Sa keq të vjen për njerëzit e varfër ? A dhuron për bamirësi?
Oh do të doja vetëm me filantropi të merresha një ditë!
Anna Elena D: Të gjithë kemi bërë në jetë gjëra për të cilat jemi penduar, apo le te themi nuk ndihemi krenarë që i kemi bërë. Ju cfarë do ndanit me ne lexuesit?
Nuk kam pengje dhe e vë kokën e qetë në jastëk çdo natë para se të fle dhe ëndërroj si fëmijë akoma...Ëndrrat janë dëshira; kur ti fle s’ke kohë të mendosh, por lumturinë duhet ta gjurmosh atje ku dëshirat drejtojnë.

Klodjana Milkurti Imeri Cili është sekreti që jeni gjithmonë kaq në formë? Koha duket sikur nuk kalon për ju…
Ushqehem me kujdes dhe bëj jetë sportive. Genet kanë bërë punën e tyre, por Perëndia dhe natyra kanë qenë bujare me mua. Zot më lër kështu siç jam. Nuk dua asgjë më tepër veç shëndetit!
Romilda Gjyli: A keni arritur gjithçka që keni ëndërruar në jetë deri tani? A ndiheni e realizuar?
Jeta është një përpjekje e pafund për të zbuluar dhe arritur gjëra. Them që 30- vjetorin e festova si një femër e plotësuar dhe e përmbushur!
Elhame R. Ahmeti: A je e lumtur siç dukesh në TV?
Gjithmonë jam e lumtur, por kurrë s’do të isha e gëzuar në skenë nëse s’do të isha e lumtur në jetë. Do ish teatër i vështirë për mua...Tjetër gjë është pastaj profesionalizmi për të maskuar diçka që nuk shkon në një ditë pa diell kur ti duhet të jesh në një transmetim live. Këto, pastaj, janë ligjet e profesionit dhe televizionit!
Besa Arshiaj: Kush është arsyeja më e madhe e buzëqeshjes suaj?
Fakti që jetoj jetën që dua!
Cili ka qenë momenti thelbësor për ecurinë e jetës apo karrierës suaj?
Kur që 14 vjeç, Tani i Top Albania-s dhe më pas Vera Grabocka thanë “kjo vajzë është gjeni”. As fëmijët kurrë s’duhen trajtuar si të paaftë. U duhet thënë që janë “specialë”, që janë më të veçantët për ne që u kemi dhënë jetën. Besimi që m’u dha përmes këtij përcaktimi shkroi të ardhmen dhe vetëbesimin tim në profesion! Nuk mendoj që jam gjeni, por fraza ishte magjibërëse J
Sajana Rajku: A është e kënaqur egoja e Alketa Vejsiut për të arritur gjëra të tjera në jetë përveç televizionit dhe biznesit tuaj aktual apo do të kemi akoma më shumë nga ty?
LU BI Ana: Alketa ti je e kënaqur me çdo gjë që ke pasur në jetë apo kërkon gjithmonë më shumë nga vetja jote?
Mendoj që balanca është gjetja më e rëndësishme që dikush zbulon në jetë. Unë jam tek Balanca. Në harmoni të plotë me gjithçka. E kam gjetur atë pikë dhe nuk kam asnjë tundim për më shumë e për më tepër...
Ordinary Day: Çfarë mendimi keni për mënyrën se si funksionon media në Shqipëri?
Në kontekstin ekonomik e shoh në vështirësi të madhe, por nuk do të ndalem këtu. Ndërsa konteksti socio-politik i medias lë vërtet për të dëshiruar në Shqipëri...gazetarët vihen vazhdimisht nën presion e censurohen nga pronarët e tyre, nga biznesmenë të cilëve u preken interesat, nga politikanë të cilët duan sa më shumë aleatë në rrugën e tyre pa qenë të interferuar, por edhe nga artistë e njerëz publikë që për të paketuar sa më mirë imazhin e tyre (editojnë pafund artikujt dhe duan kontroll të plotë mbi atë që shkruhet duke cenuar këndvështrimet e gazerarit)...Media duhet të jetë e lirë, gazetarët të raportojnë vërtetësisht lajmin për të informuar qytetarët e tyre, qeveritë e tyre, ekonomitë e tyre dhe mediat e huaja. Madje as blogger-ët dhe analistët që janë “të pavarur” nuk janë mjaftueshëm të lirë dhe objektivë me ndonjë përjashtim të vogël! Dua vërtet ta përdor mirë si medium komunikimi revistën Class online. Kjo revistë nuk është imja, është e të gjithëve që duhet të shohin reflektimin e tyre si në një pasqyrë…