Gazetarja dhe moderatorja e njohur Sonila Meço nuk mund të gjente dhuratë më të mirë për të bijën në një ditë të veçantë si e sotmja. Së bashku me mesazhin e urimit, të postuar në profilin e saj në Instagram, Sonila i shkruan së voglës një mesazh jete në 4-vjetorin e lindjes. Sot, Amaris ndoshta nuk e kupton shumë këtë letër, por natyrisht, e ëma do ta ruajë mesazhin për t’ia treguar disa vite më vonë dhe bashkë me të, për t’i rrëfyer se sa peshë ka fjala, aq më shumë ajo e thënë me zemër. Kush më mirë se Sonila mund ta bëjë këtë?

Ja letra e plotë e Sonila Meços dhe bashkëshortit të saj për vajzën Amaris:

“Sot 4 vjeç... Ti dhe Unë... Ti e lumtur duke njohur botën që ende është e ëmbël sa puthja e babit dhe e thjeshtë sa emri yt. Unë e lumtur duke njohur botën, që edhe pse nuk bëhet më e mirë, mbetet e ëmbël sa puthja jote dhe e thjeshtë sa emri yt. Jetë të gjatë Amaris! Do rritesh shpejt, e di që do rendësh fort të kapësh çdo mundësi, pa kthyer kokën pas, duke gjetur e lënë miq rrugës, do duash të jesh më shpejt 20, mandej 25, të kesh gjithçka do e mund, derisa një ditë të ndjesh frymëmarrjen e të voglës tënde teksa për herë të parë ta vendosin pranë fytyrës së përmalluar e të përjetosh atë që përjetoj unë tani në 4-vjetorin tënd, duke uruar të të kem pranë për gjithë jetën... Por mam, edhe në moshën time, edhe grua e nënë, dua ta dish se në ditë të vështirë dhe të pamundur mund të vraposh drejt meje si sot dhe në përqafimin tonë të ndjehesh e sigurt, e qetë, e paqtë...

Këtë ma ndjen shpirti të ta them sot, sepse ky është edhe urimi që i bëj vetes, kur kujtoj sa e mirë qe bota në 4-vjetorin tim, e ëmbël sa puthja e mamit dhe babit, e thjeshtë sa emri im... Kaq mbaj mend tani, jetën mësoje duke u rritur, as më parë e as më vonë! Të duam fort Amaris!”