Edhe pse nuk ka zgjedhur asnjërin nga profesionet e prindërve, Linda Flloko, vajza e Vera Grabockës dhe Timo Fllokos, është ushqyer me dashurinë për artin qysh fëmijë. Në skena xhirimi bashkë me të atin apo prapa kuintave me të ëmën, Linda ka qenë kudo pas tyre, por për jetën e vet ka vendosur të zgjedhë një profesion tjetër dhe të bëhet juriste. Kjo nuk e pengon aspak që t’u gëzohet sukseseve të prindërve edhe sot, po njëlloj sikur ishte fëmijë.

Nga e majta: Lili Ismaili, Alketa Vejsiu, Vera Grabocka dhe Linda Flloko

Ndonëse jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bashkëshortin izraelit dhe dy djemtë, në raste festash apo gëzime familjare, Linda është gjithmonë e pranishme pranë prindërve. Këtë herë, ajo ka ardhur enkas nga SHBA-të, së bashku me bashkëshortin, Ilan Gorodezky, për të kaluar festat e fundvitit me prindërit. Me këtë rast, ka qenë e pranishme edhe në finalen e spektaklit “Dance With Me” për të duartrokitur për të dytin vit radhazi suksesin e së ëmës dhë për t’i dhënë asaj mbështetjen maksimale.