Bekim Balaj, një nga djemtë më simpatikë të Kombëtares Shqiptare të futbollit, është bërë personazhi kryesor i mediave rozë javën e parë të këtij viti për historinë e re të dashurisë me prezantuesen kosovare,  e njohur për emisionin e saj “Express Rozë”, Elita Rudi. Fillimisht, për Bekimin mediat shkruan se ishte në një lidhje me gazetaren sportive Ilda Bejleri, por kjo e fundit e mohoi dhe tha se me Bekimin ishin vetëm miq të mirë.

“Bluetooth” ka zbuluar disa detaje të historisë së dashurisë së dy të rinjve, të cilët prej disa muajsh frekuentohen dhe kanë plane për të ardhmen. Burime të afërta të çiftit kanë treguar se lidhja mes Bekimit dhe Elitës ka nisur rreth pesë muaj më parë. “Elita ka udhëtuar së bashku me vëllanë e saj drejt Kroacisë për të ndjekur një ndeshje futbolli ku luante edhe Balaj, madje e bezdisur për këtë fakt, pasi nuk është aspak fanse e futbollit”,- kanë treguar miqtë e çiftit. Me siguri, prezantuesja as nuk e kishte menduar se ky udhëtim do të shënonte fillimin e një romance të këndshme me një nga meshkujt më të lakmuar shqiptarë. “Në përfundim të ndeshjes, Elita është takuar me futbollistin, i cili ishte mik i vëllait të saj, e aty ka “shkrepur” edhe shkëndija e parë mes tyre”, konfirmojnë miqtë, sipas të cilëve, bukuroshja shqiptare ka shkëmbyer kontaktet me Balajn dhe kanë vazhduar komunikimin.

Por futbollistit i është dashur të insistojë për të fituar zemrën e bukuroshes 22-­vjeçare, e cila sapo i kishte dhënë fund një tjetër marrëdhënieje të rëndësishme, atë me basketbollistin Dardan Berisha, i cili kohët e fundit po ashtu është përfolur për një lidhje me ish­të dashurën e Getoar Selimit, Florenta Islami. Sidoqoftë, prezantuesja dhe modelja Elita Rudi nuk ka rezistuar gjatë… Gjatë kohëve të fundit prezantuesja udhëton shpesh drejt Kroacisë, për të takuar të dashurin e saj Bekim Balaj. Sipas miqve të tyre, futbollisti vjen rrallë në Prishtinë, për shkak të angazhimit me punën e tij, megjithatë distanca nuk i pengon aspak, duke qenë se Elita shkon të paktën një herë në muaj në qytetin e Rijekës në Kroaci, ku luan Balaj. Megjithatë, më 3 janar futbollisti ka shkuar në Prishtinë për të festuar vitin e ri me partneren e tij në një nga club-­et e qytetit, dhe kjo ishte shfaqja e tyre e parë si çift në publik. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen atë mbrëmje ka qenë prania e Ilda Bejlerit, e cila, edhe pse ishte përfolur që kishte lidhje me Bekimin, në fakt është mikeshë shumë e afërt e tij dhe gjithashtu e prezantueses.

Sa i takon rëndësisë së këtij raporti për futbollistin shqiptar, sipas burimeve të “Bluetooth”, Balaj ka insistuar që lidhja e tyre të bëhej publike, duke qenë se planifikon të ardhmen me bukuroshen nga Kosova, por ka qenë pikërisht Elita ajo që ka refuzuar. Prezantuesja ka thënë se “nuk dëshiron të prezantohet me familjen e të dashurit të saj të ri, apo ta prezantojë atë me familjen e saj, të paktën derisa të vendosë një unazë në gisht”,- kanë rrëfyer miqtë.