Modelja e njohur Aurela Hoxha i ka dhënë fund martesës së saj 10-vjeçare me bashkëshortin, biznesmenin Admir Ismajlukaj. Shumë e rezervuar për jetën e saj private, Aurela e ka mbajtur larg vëmendjes mediatike lidhjen disavjeçare me partnerin e saj.

 

Sipas “Panorama Plus”, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë është depozituar një kërkesë-padi nga z. Admir, dokument që mban datën 11 shtator 2015, me anë të të cilit ai kërkon zgjidhjen e martesës me palën e paditur Eurela Hoxha (që njihet si Aurela Hoxha). Në dokumentin drejtuar gjykatës, paditësi i datëlindjes 08.07.1979 kërkon zgjidhjen e martesës me të paditurën e datëlindjes 27.02.1985. Ai përfaqësohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje nga avokatja Jonida Capo, e cila konfirmon për gazetën depozitimin e çëshjtes në Gjykatë. Në objektin e dokumentit në fjalë citohet kërkesa e zotit Ismajlukaj si më poshtë: “Me të paditurën jemi bashkëshortë dhe, siç rezulton nga certifikata e martesës, datë 31.08.2015, lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile, Njësia Bashkiake nr. 11 Tiranë, kemi lidhur martesën ligjore më dt. 11.11.2005. Nga konsumimi i martesës nuk kemi fëmijë”.

Më tej, me anë të kësaj kërkese janë renditur edhe arsyet pse 36-vjeçari Ismajlukaj kërkon zgjidhjen e martesës me gjyq: “Fillimisht, marrëdhëniet tona kanë qenë të mira dhe janë karakterizuar nga dashuria, mirëkuptimi reciprok dhe harmonia familjare. Kohët e fundit, marrëdhëniet tona familjare janë përkeqësuar për shkak të qëndrimeve jokorrekte të palës së paditur ndaj meje. I ndodhur në rrethanat, ku marrëdhëniet tona janë dëmtuar rëndë nga ana morale prej të paditurës, kanë sjellë si pasojë mungesë harmonie mes nesh, mirëkuptimit dhe respektimit tim ndaj Aurelës. Ka vend të theksohet se marrëdhëniet në vazhdimësi nuk janë përmirësuar, por përkundrazi janë dëmtuar, duke ndërprerë bashkëjetesën tonë, dhe si rrjedhojë, kemi më tepër se katër muaj që jetojmë të veçuar."