Sapo u mësua se në jurinë e DWM këtë sezon do të jetë anëtar Gent Zenelaj, në adresë të revistës Class erdhën me dhjetëra mesazhe përgëzimi. Ai që të gjithë i shkrin së qeshuri me batutat e tij, i tillë do të ishte edhe në jurinë e programit të kërcimit. Të hënat, që për të ishin pak “të mërzitshme”, sepse “Stop” mbaronte më shpejt ngaqë ua linte vendin Verës dhe Alketës, tani do të bëheshin më të dashura, sepse do të vraponte me qejf të argëtonte veten dhe publikun nga karrigia e jurisë me natyrën e tij pozitive.

Kanë kaluar disa javë që kur Genti është ulur në panelin e jurisë dhe çdo të hënë, publiku në sallë, ai nga shtëpia, si edhe vetë konkurrentët në garë, mezi presin të japë ai vlerësimin e tij. Nuk qëndron larg Valbonës për pikët maksimale, ama nuk harron asnjëherë të komplimentojë ata që punojnë fort për t’u paraqitur denjësisht para publikut. Për të treguar se, nëse e bëjnë këtë gjë fort dhe me zemër, ia arrijnë t’ia dalin. Siç bëri edhe Genti….

Ishte viti ’97 koha kur Genti vendosi të ndiqte aktrimin dhe, si për të gjithë, edhe për të nuk ishte aspak e lehtë për të fituar një vend në Akademinë e Arteve dhe pas 4 viteve të fitonte role të suksesshme. Ai kujton me shumë mirënjohje të gjithë profesorët, aktorë dhe regjisorë të njohur të kinemasë dhe teatrit shqiptar, që e ndihmuan të gjente veten në artin shqiptar në vite të vështira – atëherë kur të pretendoje të bëje art, ishte luksi më i madh që mund t’i kërkoje këtij populli. Megjithatë, Genti ia doli jo vetëm të notonte mes ujërave të turbullt e jo rrallë të rrëmbyeshëm, por edhe të krijonte profilin e tij prej një aktori, rolet e të cilit, vetëm pak vite më vonë, do të ishin ndër më të pëlqyerat. Si roli i Robertit, te “Boeing Boeing” – teatri i cili regjistron tashmë 100 shfaqje të luajtura.

Komedia “Boeing Boeing” këtë javë u rikthye për publikun në skenë te “ArTurbina”. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” riktheu në skenë një nga veprat që ka shënuar suksesin në skena teatrore të ndryshme.

“Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard (Amos Zaharia) me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa, njëra më e bukur se tjetra, një franceze, një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë, Bernardi ka ditur t’i xhonglojë vajzat, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre, por kur situata ndryshoi dhe të tria vajzat e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert (Gent Zenelaj) lufton me të gjitha mënyrat që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Ai arrin të dalë nga situata falë Robertit.

Po kush është Roberti dhe çfarë përfaqëson ai? Pse ngjan aq shumë me Gentin, aktorin që zbuloi para syve të publikut cilësitë dhe virtytet e një njeriu të thjeshtë, provincial, por me parime? Ka të paktën 5 arsye të forta pse secili prej nesh duhet ta dojë më shumë një personazh si Roberti dhe pas tij, edhe mesazhin që përcjell vetë aktori që e luan atë.

1. Roberti është një provincial me parime

Të gjithë ne mund të qeshim pa fund me batutat e Gentit në rolin e Robertit, por në thelb, ai është një djalë që beson tek parimet që lindin nga një familje e shëndoshë. Mesazhi që përcjell Roberti dhe përmes tij Genti nga “Boeing Boeing” është ai i një lidhjeje të shëndoshë, familjeje të bashkuar, nga e cila kanë burimin të gjitha të mirat e jetës: “Para 6 orësh isha në fshat”, – është një batutë e përsëritur e Gentit në komedi, por jashtë saj është e lehtë të kuptosh se një djalë si ai nuk do ta lërë “Robertin fshatar” t’i largohet nga vetja, përkundrazi, e thërret për ta mbajtur afër. Të qenit fshatar si Roberti nuk është as më shumë e as më pak veçse të qenit i thjeshtë, me gjithë naivitetin që e karakterizon figurën e tij…

2. Roberti, ashtu si Genti, është njeri shumë pozitiv

Ai ishte roli për të cilin Genti nuk do të mendonte dy herë për t’i thënë “Po” projektit sapo lexoi skenarin. Nuk është rastësi që ne e shikojmë Gentin gjithmonë duke qeshur. Të qenit pozitiv është edhe filozofia e jetës së tij: “Kjo është edhe filozofia e jetës sime, të mbaj afër vetëm njerëz pozitivë, sepse ne si popull kemi vetëm nevojë për optimizëm”, - ka thënë aktori në një intervitë për Dosja.al pak muaj më parë. Nëse shikoni Robertin zemërmirë, keni parë edhe Gentin bashkë me të.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Do qeshni 1 orë @rudinadembacaj @gentianzenelaj @amosmujizaharia @alessia_xhemalaj bravoooo ð??ð?»ð??ð?»

A post shared by Revista CLASS (@revista_class) on

3. Roberti është energjik

Një personazh i jashtëzakonshëm, një njeri fantastik, i hapur e zemërgjerë. Ajo që Roberti përcjell është energjia dhe kush më mirë se Genti do ta përcillte këtë me po të njëjtën forcë te publiku? Energjia e karakterizon edhe Gentin, ndaj edhe roli i Robertit s’mund të ishte akund tjetër më mirë se tek ai. Është fat nëse në adresë të tij shkojnë role të tilla si i Robertit.

4. Roberti është altruist dhe empatik

Komedia ka në qendër të saj Bernardin dhe ngatërresën e tij dashurore me tri stjuardesa, por “shpëtimi” në fund vjen për shkak sepse aty, krejt rastësisht, gjendet miku i tij Roberti, i cili bën çmos për të ndihmuar dhe këtë e bën pa pritur asnjë përfitim. Duke e vendosur veten në rolin e Bernardit, edhe vetë Roberti përjeton të njëjtat ndjesi si miku i tij, madje, më keq akoma, bën çmos që të mbulojë gabimet e Bernardit, sado në vështirësi që e gjen veten.

5. Roberti është personazhi i çdo shoqërie

Sepse është ashtu si është. I shëndoshë, me syze, pak fshatar në pamje dhe naiv në dukje. Por është njeriu për të cilin të gjithë flasin dhe pa të cilin askush nuk bën dot përpara. Çdo shoqëri e kohës sonë ka në mes të saj një Robert, të cilin të gjithë e tallin, por të gjithë ia kanë nevojën. Sepse është gjithmonë aty sa herë të kesh nevojë, sa herë të duash të qash me dënesë apo sa herë të duash të qeshësh pa fund. Roberti është Genti – ai që i duhet secilit nga ne… Sikur secili nga ne të kishte brenda vetes pak Robert, gjërat mund të ishin ndryshe. Genti është me fat, sepse një pjesë të mirë të cilësive më të mira të vetë Robertit, i ka edhe ai. Ndaj edhe ishte i suksesshëm roli i tij (jo se të tjerët më pak), sepse, me siguri, nuk i është dashur shumë punë për t’iu futur Robertit në lëkurë.

Për shkak të Robertit dhe mesazhit që përcjell ai, e dashuroj edhe më shumë Gentin…

Shihemi nesër në Dance With Me!