Kur jeta ndryshon, gjërat fillojnë të tingëllojnë në një mënyrë të re … Jam e sigurt që të gjithë ne, edhe për shkak të situatës, jemi bërë më të ndjeshëm në javët e fundit. Gjithashtu, të gjithë bashkë kemi zbuluar se çdo të thotë të mos dalësh dot nga shtëpia pa vënë një maskë mbrojtëse në fytyre, e gjitha kjo, për ngadalësimin e përhapjes së virusit.
Pikërisht këto maska, distancimi social dhe çdo moment i shpenzuar brenda në shtëpi, janë gjërat që sot, mund t’i lexojmë ndryshe. Mendoj gjatë gjithë kohës për gjërat që deri para pak kohësh nuk iu kemi dhënë rëndësi, si përshembull të shkuarit në teatër, darkat e zakonshme me miqtë apo edhe të shkuarit në zyrë, të cilat sot na duken si gjëra luksi që s’mund t’i prekim. Është e vërtetë që po jetojmë një kohë ankthi dhe mërzie dhe mendoj që kjo gjëndje ende s’ka përfunduar, por ajo që duhet të besojmë fort, është mirënjohja… Mirënjohja për njerëzit që na kanë qëndruar gjithmonë pranë, miqtë, të cilët edhe pse nëpërmjet telefonit, email-eve apo edhe aplikacioneve, i kemi ndjerë më afër se kurrë.
Jam mirënjohëse për “bujarinë” e treguar në këto kohë të vështira. Më kanë prekur veprat e bamirësisë nga protagonistët e fushës së modës, por jo vetëm, veprat e të gjithë atyre që po ndihmojnë në këtë luftë të vështirë.
Për çfarë tjetër jam mirënjohëse? Mbesa ime është një tjetër motiv, festuam ditëlindjen e saj të tretë në një festë virtuale me shumë njerëz në Zoom dhe për mua, ishte një gëzim i pashpjegueshëm të shihja lumturinë në sytë e saj.
Mirënjohje gjithashtu për skuadrën time në Vogue, të cilët kanë punuar në kushte të vështira dhe kanë prodhuar “punë” për të cilat nuk mund të isha më shumë krenare. Të gjesh mënyra bashkëpunimi në këto kohë është realisht e vështirë, por kolegët e mi ia kanë dalë në mënyrë perfekte.