Aktorja e njohur Teuta Krasniqi, pak ditë më parë ka sjellë në jetë vajzën e saj të dytë me partnerin Adonis Morina. Kaia është emri i vogëlushes, e cila erdhi në jetë 12 ditë më parë. Ndonëse mjaft e vogël, këto ditë të para për Teutën nuk kanë qenë shumë të lodhshme, pasi ka pasur gjatë gjithë kohës ndihmën e partnerit, por edhe të vajzës së saj të madhe, Tara.

Në një intervistë ekskluzive për Prive, Teuta ka rrëfyer ditët e para pas lindjes së Kaias, lumturinë dhe dashurinë e pamatë të Tarës për të, por në të njëjtën kohë edhe përkushtimin maksimal të Adonisit, surpriza më e madhe pas lindjes së vajzës. Pasi thekson se ashtu si ajo, edhe ai është i lumtur, Teuta tregon edhe gjënë më të bukur që ka dëgjuar nga ai pas ardhjes në jetë të Kaias: “Ai më ka falënderuar dhe një ndër gjërat më të bukura që ka thënë ka qenë: Ke lindur Kaia-n, po më ke lindur edhe mua si baba... “ – tregon aktorja duke shtuar se edhe ai po e përjeton çdo moment me vogëlushen e tij, aq sa nuk ka pasur nevojë për asnjë ndihmë tjetër: “Gjatë gjithë kohës, që prej momentit që kam lindur, e kam pasur krah të djathtë, madje as mamit nuk i kam thënë të vijë të jetojë me mua për të më ndihmuar. Përgjatë 24 orëve, Adonisin e kam përkrahje dhe mbushjen më të madhe...”

Ndër të tjera, Teuta tregon edhe për simbolikën e emrit, për të cilin në rrjet pati jo pak komente.
