Anduena Llabani, gazetarja e njohur e kronikës zë zezë prej më shumë se 18-vjetësh, i ka dhënë fund marrëdhënies së saj disavjeçare me bashkëshortin e saj, Arditin. E ftuar në programin “VIP Zone” në Vizion Plus, përveç profesionit, ajo ka folur edhe për jetën personale mes një pune që nis që në orët e para të mëngjesit dhe nuk dihet se kur përfundon. Pyetjes si nis dita e një gazetareje kronike si Anduena, ajo përgjigjet: “Është e paparashikueshme, por intensive, është plot tension, të qeshura, miq e armiq. Sigurisht, i vetmi njeri që më kthjellon dhe më kthen në realitet është Aleksei, i cili është i pari njeri që unë e marr, e çoj në kopsht në mëngjes. Dhe është njeriu që më kujton se puna mbaron në orën 4 dhe që duhet të shkoj ta marr nga kopshti – tregon ajo për të birin.

Ndërsa për babain e tij, Arditin, ajo tregon se tani që ata nuk jetojnë më bashkë, marrëdhënia e tyre është ndryshe.
Është një marrëdhënie e veçantë, për vetë faktin që ne nuk jetojmë më bashkë dhe për sa kohë nuk jetojmë bashkë, Aleksei është i detyruar që të ndajë ditët e javës: me mua dhe me ish-bashkëshortin tim. Absolutisht që në rastet e festave në kopsht, të ditëlindjeve apo të festave familjare, ne jemi bashkë që Aleksei të kuptojë që ka një nënë dhe një baba që e duan shumë, pavarësisht se ne kemi bërë zgjedhjet tona në jetë për të mos qenë më bashkë, por kjo nuk ndikon tek djali... Unë preferoj që një fëmijë të shikojë nënën të lumtur që qesh dhe të atin që qesh, sesa të shikojë dy prindër që jetojnë në një strehë, por që nuk janë të lumtur bashkë.

Edhe pse dy prindërit e Alekseit nuk jetojnë më bashkë, Anduena për Arditin tregon se ai është njeriu perfekt, sepse për të dhe punën e saj nuk ka qenë kurrë pengesë:
Arditi është një mashkull perfekt. Ka qenë shumë tolerant, mbase dhe për faktin që më ka njohur në një situatë dhe në një moshë kur unë isha në kulmin e karrierës sime dhe e ka kuptuar që në fillim që unë kjo jam dhe nuk mund të ndryshoj. Nuk është bërë kurrë pengesë, nuk ka qenë i fiksuar tek gjërat e mia, përkundrazi ka qenë një mentor shumë i mirë. Ndërhynte atëherë kur duhej, më korrigjonte atëherë kur duhej. Nuk ka thënë kurrë “pse e bëre këtë” ose “ku ishe”. Është e vështirë të të pranojë një mashkull në konditat e mia, por kam pasur goxha mirëkuptim.
Ndërsa për arsyet të cilat çuan në prishjen e kësaj marrëdhënieje janë të tjera:
Ka të tjera arsye të cilat kanë çuar në prishjen e kësaj marrëdhënieje, e cila nuk mund të kushtëzohet as një nga një fëmijë, as nga dy, as nga dymbëdhjetë. Secili bën një zgjedhje në jetë dhe kjo zgjedhje bëhet për të qenë ti i lumtur...