Një nga futbollistët më të dashur të Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana, prej disa muajsh tashmë, është bërë dhëndër italian. Në një ceremoni krejtësisht private, ai ka lidhur martesë me arkitekten italiane, Monica Ercoli, me të cilën njihej qysh prej vitit 2011, kur ajo ishte ende studente. Në suplementin e kësaj jave, gazeta “Panorama” citon revistën kosovare “Teuta”, në të cilën Loriku ka dhënë një intervistë, duke rrëfyer për jetën e re familjare dhe dëshira për të pasur një trashëgimtar së shpejti.

8 qershori 2014, ceremonia e dasmës, darka romantike, atmosfera intime në brigjet e detit Tiren, jo shumë larg Romës, aty ku Lorik Cana zgjodhi të bëjë kurorëzimin e dashurisë me Monikën, do të mbeten gjithmonë kujtime të paharrueshme për të. Sigurisht, për Monica-n ai nuk kishte më dyshime - ajo është zgjedhja e tij më e mirë. Ngjarja brenda manifestimit të kurorëzimit të futbollistit sharmant të Kombëtares Shqiptare, nuk mund të kalonte pa u komentuar gjatë edhe në media, derisa vetë Loriku pranoi të flasë për lidhjen e tij disavjeçare me Monica-n, vështirësia më e madhe e së cilës kishte qenë t’u trgonte prindërve “dy të këqijat” e Lorikut: futbollist dhe shqiptar.

Megjithatë, të gjitha do të kalonin shpejt. Çifti tashmë kanë disa muaj që kanë filluar një jetë të re, pjesë e së cilës duan të jetë edhe një fëmijë. Të paktën këtë pret së shpejti futbollisti, kur e pyesin nëse janë duke planifikuar ndonjë fëmijë: “Unë i kam thënë Monica-s se ne shqiptarët, pa pasur një djalë, nuk ndalemi…. Sigurisht që derisa të jem unë aktiv, karriera ime ka rëndësi dhe kam dëshirë që të kemi së shpejti fëmijë. Pak a shumë jemi pajtuar me këtë temë dhe shpresojmë që dy vjetët e ardhshme të realizohet”,- është shprehur kapiteni i Kombëtares.  

Dhe gjithçka i mbetet së ardhmes. E tashmja ka prioritete të tjera për çiftin Cana. Të paktën për Lorikun, “zemrën e shqipeve”, dhe ekipin kuqezi, kualifikimi i Shqipërisë për në Evropianin “Francë 2016” është objektivi kryesor.