Big Brother ka ende shumë javë deri në fund të tij, por me gjithë përkushtimin për një prej programeve më të dashura të saj, Arbana Osmani ka lajmëruar fansat se pas spektaklit të së shtunës, këtë fundjavë do të niset drejt një aventure të re, e cila promovon vlerat dhe natyrën e vendit tonë.
Në një shënim të fundit në Instagramin e saj, Arbana ka ftuar të gjithë miqtë virtualë për të ndjekur bashkë me të një mision të ri drejt Shqipërisë së Jugut: “Do të jem dhe unë në ‘South Outdoor Festival’, festivalin e aventurës, ku për 3 ditë radhazi do të zbulojmë më shumë arsye pse duhet ta vizitojmë Jugun e Shqipërisë, jo vetëm në një stinë. Eja dhe ti, nga 29 prill – 1 maj në Pilur të Himarës. PS: Unë do nisem pas spektaklit të së shtunës. Ju pres” - shkruan Arbana pas kësaj videoje promovuese.
South Outdoor Festival është një nismë e re në fillim të verës, e cila synon promovimin e kulturës dhe vendeve të bukura të rivierës shqiptare. Gjatë këtij eventi treditor parashikohen edhe shumë aktivitete kulturore argëtuese, si dhe artistë të tjerë të ftuar.