11 maji është një ditë me emocione të dyfishta për deputeten e PD-së, Jozefina Topalli. Sot, vajza e saj Megi ka ditëlindjen dhe me këtë rast, ish-kryetarja e Kuvendit, lumturinë e ka të pafundme. Por çdo 11 maj, bashkë me lumturinë për ditëlindjen e vajzës, zonja Topalli kujton me dhimbje humbjen e të atit, vetëm disa orë pas ardhjes në jetë të Megit.

Sot, këtë ndjesi të dyfishtë, Jozefina Topalli e ka ndarë me të gjithë miqtë e saj në Facebook, duke i kushtuar një dedikim special së bijës dhe njëkohësisht duke përshkruar dy ndjenja që janë të pandara dhe ecin paralelisht me njëra-tjetrën në jetë, por bëhen edhe më të fuqishme kur jetohen njëkohësisht: lumturia dhe hidhërimi: “Ime bijë, Megi, sot ka ditëlindjen! Lindja e fëmijës për çdo nënë është gëzimi më i papërshkrueshëm i jetës. Por, po atë ditë që lindi Megi, im atë u nda nga jeta. Në shpirtin tim, atë ditë kam jetuar ndjenjat më të fuqishme që më përziheshin bashkë… dhimbja e fortë për babain që e kam dashur aq shumë dhe mrekullia e femijës që erdhi në jetë dhe mora në krah”,- ka shkruar Topalli në Facebook, ku nuk kanë munguar me qindra urime dhe përgëzime për të bijën.