Veç jetës artistike, projekteve muzikore dhe familjes, me Mariza Ikonomin është e vështirë të flasësh për tema të tjera të jetës private siç janë lidhjet e dashurisë. Por këtë herë, e ftuar në një intervistë të fundit, këngëtarja e njohur e skenës shqiptare ka vendosur të rrëfehet, me rezervime.

Si rrallëherë në daljet e saj publike, Mariza ka folur për jetën personale, duke konfirmuar se po jeton një histori dashurie.

E ftuar tek “Dola te Ola” në “News 24”, këngëtarja 38-vjeçare foli për të rejat nga jeta artistike, për familjen, si dhe iu përgjigj dia pyetjeve nga jeta private.

Pyetjes nëse ka të reja nga jeta e saj, a është në lidhje me dikë, Mariza iu përgjigj: “Po, jam në një lidhje dhe jam shumë mirë”.

Por nuk dha të tjera detaje për njeriun që i ka rrëmbyer zemrën. Pyetjen nëse është edhe ai artist, ajo e mbylli me: “Ai është dashurist”.

Kantautorja gjithashtu foli për raportin e ngushtë që ka me dy prindërit, sidomos me nënën, e cila është shumë e talentuar, e ka pasur shumë qejf muzikën, por nuk ka mundur të ngjitej në skenë për shkak të kufizimeve të kohës.

Mariza nuk la pa përmendur edhe të ndjerin Françesk Radi, me të cilin ka bashkëpunuar shumë vite më parë me këngën “Telefonatë zemrash”.