Vesel Kurtishaj, fituesi i Big Brother, tashmë ka nisur një karrierë në politikë, duke u anëtarësuar në PDK-në e Kosovës. Megjithatë ai do ngelet për shumë kohë një djalë spektakli dhe historitë e krijuara rreth tij, të nisura nga fama që ka marrë në televizion, nuk harrohen shpejt. Përkundrazi. Marrëdhënia me Tean, një histori e mundshme dashurie, por edhe aludimet për prirjet seksuale janë tema që vazhdojnë të diskutohen. Dhe ai është detyruar të flasë edhe për to, edhe pse jo me të njëjtën dëshirë, siç iu është përgjigjur pyetjeve mbi angazhimin politik. Lexoni intervistën e Veselit për gazetën Panorama.
Pas “Dance with me” deklarove se po përgatitesh për një projekt personal në televizion. Çfarë ndodhi me atë projekt?
Ai projekt thjesht, për mospërputhje idesh, nuk u realizua.
Ndërkohë, mediat e Kosovës kanë dhënë lajmin se i ke hyrë politikës, duke u anëtarësuar në PDK. Si po e jeton këtë eksperiencë ndryshe në një terren të lakmuar?
Ambiciet e mia shkojnë larg, dhe do të marrin kohën e vet, deri sa të arrijnë destinacionin përfundimtar dhe për të shkuar deri aty ku dua dhe duhet. Është e domosdoshme të hedh çdo hap të sigurt, duke e filluar nga baza, për të shkuar më tej. Për momentin më duhet të familjarizohem me strukturat dhe mënyrën e funksionimit të tyre në partinë në të cilën aderoj dhe forumin rinor të saj, që të mund të ingranohem dhe të jap kontributin tim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Cilat janë ambiciet e tua në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës?
Një fillim i mirë është gjysma e punës, thonë. Kështu që kur hapi i parë hidhet ashtu siç duhet, besoj se edhe çdo hap tjetër në vazhdim do të ndjekë të parin, do të jetë po aq i sigurt. Sigurisht, me afirmimin tim më tej si politikan do të shkojnë përkrah edhe ambiciet e mia për t’u rritur në këtë parti, çdo gjë do të shkojë dhe në bazë të pjekurisë sime politike.
Një ish- banor i “Big Brother”, Kika, hodhi dyshime për prirjet e tua seksuale, direkt pas lançimit të emrit tuaj. Si e prite?
Nuk i kam kushtuar dhe nuk dua t’i kushtoj asnjë minutë nga koha ime, as personit në fjalë, po as aludimeve të tilla, që përveçse më bëjnë të qesh, nuk më shkaktojnë asnjë ndjesi tjetër. Jam i sigurt, që edhe kësaj interviste do t’i rritej vlera nëse shkoj më tej me këtë pyetje.
Pas një periudhe pauze sërish thashetheme për ty dhe Tean. E vërtetë që jeni rikthyer?
Jo, nuk është e vërtetë.
Që do të thotë se ke nisur një histori të re…?
Jo, nuk jam duke përjetuar asnjë histori të re dashurie.
Paratë që fitove në “Big Brother” për çfarë i shpenzove?
Kjo është një temë që nuk besoj se do t’i interesonte njeriu. Se mund t’ju them edhe që nuk i kam shpenzuar ende.