Ky pyetësor ishte një mundësi për të takuar pak Igli Zarkën kur me të të mos ishte Alan Strang, por duke lexuar përgjigjet kupton që ose Alan nuk i ndahet, aq më tepër që Equus u rikthye javën e kaluar në TK, ose Igli është dionisian. Që do donte të fluturonte, që çmon lumturinë, edhe në grimca, që te këngëtari i preferuar pëlqen më shumë lirinë dhe që nëse ndihet fajtor, ndodh kur tradhton veten.

Të ngjan me një hero të Ayn Rand, por ai nuk ka heronj në letërsi...Njerëzit janë heronjtë e tij. Edhe nëse do ishte një objekt, sërish do donte një kontakt me zemrën e njeriut.

Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?

Të jesh i mjerë në shpirt... jam krenar që nuk jam një prej tyre!

Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?

Në një ishull, totalisht i vetmuar, pa asnjë lidhje me botën.

Çfarë është lumturia për ty?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë... në qoftë se do ta dija çfarë është lumturia, do isha i aftë të thoja se jam i tillë, për aq sa unë kuptoj, jeta të ofron disa grimca lumturie ... është zgjedhja e secilit sa e vlerëson këtë gjë.

Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtor?

Momentet kur tradhtoj veten, por...duhet të jem i sinqertë: janë shumë të rralla!

Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?

Nuk mund të jap emra pasi janë shumë, por më shumë vlerësoj ata që arritën të rezistojnë pesë minuta më shumë se të tjerët.

Po heronjtë e jetës reale?

Kam kuptuar se heronjtë e mi në fund të jetës së tyre dhanë shpirt si njerëz të thjeshtë. Njeriu është heroi im!

Piktori i preferuar?

Modigliani. Për vështirësinë që ai pati me sytë...

Muzikanti i preferuar?

Jim Morrison ...e adhuroj lirinë e tij.

Cilësia që admiron më shumë te një grua...

Besnikëria.

Virtyti i preferuar?

Ndershmëria.

Aktiviteti i preferuar?

Eksplorimi.

Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?

Kam fatin të jetoj jetën e dikujt tjetër në çdo projekt.

Tipari yt më i spikatur?

Nuk e di! Ti si mendon?

Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?

Energjia e tyre e mirë.

Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?

Objekt ...do doja te isha një varëse e gjatë, aq sa arrin zemrën.

Ngjyra e preferuar?

E kuqe.

Lulja e preferuar?

Orkidea.

Shpendi që të pëlqen?

Shqiponja.

Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?

Hipokrizia.

Çfarë dhuntie do doje të kishe?

Do doja të fluturoja.

Si do doje të vdisje?

I lumtur!

Në ç’gjendje mendore je aktualisht?

Në gjendjen e tre pikave ...

Cila është motoja jote në jetë?

NEVER GIVE UP!!!