Ajo nuk do të mund të përkthehej në asnjë send. Në asnjë kafshë. Në asnjë njeri, ndryshe nga ai që është. Megjithatë, lexuesit e Stieg Larsson, të "Vargjeve satanike" dhe "Turpit" të Selman Rushdie, apo të kryeveprës së Charlotte Brontë, etj. mund ta thonë sa mirë di ta bëjë këtë me librat. Ka përkthyer 15 libra, ka fituar çmim në Panairin e Librit Tirana dhe vazhdon të përkthejë e të nominohet.
Romanet e saj, të publikuara nga shtëpi të ndryshme botuese do të jenë edhe në këtë Panair, ku në vitin 2014 u vlerësua si përkthyesja më e mirë, ndërkohë që është nominuar nga Çmimet Kult për përkthimin e "Turpi"-t.
Ajo i dashuron librat, por dashuron dhe drurët e të gjelbrën përmbi, natyrën, ecjen, udhëtimet dhe qetësisht thotë që... dëgjon rock.
Alina Karaulli, flet, si rrallë herë, për veten. Keni mundësinë të dëgjoni në heshtje tingullin e modestisë.
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Njeriu që lyp në rrugë dhe duron poshtërimet e gjithfarë kalimtarëve.
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?
Në një vend të ngrohtë pranë detit, me verë të gjatë, ku mundësisht të mos kishte kurrë dimër.
Çfarë është lumturia për ty?
Çaste të shkurtra, por intensive që të mbeten në kujtesë përgjithnjë, çaste kur ndihesh mirë me veten, kur ndihesh i plotësuar, kur çdo gjë të duket e lehtë dhe pa peshë.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtore?
Kur lëndoj ndokënd pa të drejtë.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Jean Valjean nga libri “Të mjerët” i Viktor Hygosë.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Gjergj Kastrioti Skënderbeun.
Po heronjtë e jetës reale?
Një mik i veçantë nga i cili mësoj çdo ditë, një njeri që e ka vënë gjithë jetën e tij në shërbim të të tjerëve. Një qytetar i botës me zemër të madhe.
Piktori i preferuar?
Më pëlqen piktura, sidomos portretet, por nuk kam ndonjë piktor të preferuar. Megjithatë, nëse do të më duhej të zgjidhja, do të thosha Rembrandt.
Muzikanti i preferuar?
Vështirë ta them, lista është shumë e gjatë. The Doors, Deep Purple, Led Zeppelin, Bob Dylan, Jimi Hendrix, Janis Joplin, Pink Floyd, the Beatles, the Rolling Stones, Gun’s and Roses, Red Hot Chilli Pepper janë vetëm disa prej muzikantëve të mi të preferuar. Dëgjoj shumë muzikë dhe pëlqej kryesisht muzikën rock, hard rock, por edhe blues dhe atë klasike.
Cilësia që admiron më shumë te një burrë
Inteligjenca, mendja e hapur, dëshira për të mësuar gjëra të reja.
Po te një grua?
Të njëjtat cilësi.
Virtyti i preferuar?
Modestia.
Aktiviteti i preferuar?
Leximi, palestra, vrapi në natyrë, filmat, udhëtimet.
Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?
Nuk dua të jam një person tjetër, jam kjo që jam.
Tipari yt më i spikatur?
Vullneti për të bërë atë që dua dhe durimi.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Të qenit të drejtpërdrejtë.
Cili është defekti yt më i madh?
Jam më e butë se ç’duhet dhe shpesh i lë gjërat të kalojnë në heshtje.
Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?
Nuk do të doja të isha as objekt as kafshë.
Ngjyra e preferuar?
E gjelbra me të gjitha nuancat e saj.
Lulja e preferuar?
Luledelet.
Shpendi që të pëlqen?
Papagalli.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Janë vërtet shumë, e kam të vështirë t’i numëroj. Herë pas here, në periudha të caktuara kohore, një shkrimtar mund të më pëlqejë më shumë se të tjerët, për një arsye a një tjetër, por përgjithësisht mbeten po ata. Hugo, Çehov, Remarque, Kadare, Kundera, Rushdie, Saramago, Markez, etj., etj.
Po poetët?
Pushkini ka qenë gjithnjë i preferuari im, por edhe Migjeni, Poradeci, Eluar, etj.
Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?
Arroganca e kombinuar me padituri.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
Nuk dëshiroj të kem ndonjë dhunti të veçantë, jam e kënaqur kështu si jam dhe nuk besoj se do të ndryshoja ndonjë gjë të madhe po të kisha mundësi.
Si do doje të vdisje?
Në gjumë.
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
Në gjendje të trazuar, mendoj në do të më dalë koha të bëj disa gjëra që kam në plan.
Cila është motoja jote në jetë?
Nesër është një ditë e re.