Të duash të jesh vetëm në një periudhë të caktuar të jetës është si një kurë detoksi nga kushdo e nga gjithçka që të rrethon. Pak, jo shumë, sepse vetmia pastaj të bëhet pjesë e jetës dhe ndjesitë fillojnë e të përzihen, aq sa, të dalësh nuk është edhe aq e thjeshtë.
Bledi Strakosha, një emër i njohur i ekranit, në periudha të ndryshme të jetës është ndier kështu (dhe nuk është i vetmi) – me atë gjendjen që nuk ka njeri në botë që e kupton: pak trishtim, pak zymtësi, pak çekuilibër, pak mërzi, pak… pak nga të gjitha.
Ishte koha kur mori qenin e parë, mikun e parë, në fakt. Një lloj depresioni e ka quajtur Bledi atë kohë para se të kuptonte se kafshët dhe sidomos qentë, janë miqtë më të mirë që mund të ketë njeriu, më shumë se asnjëherë atëherë kur është vetëm.
Por pasi doli nga ajo fazë “depresioni”, shumë shpejt Bledi ndryshoi katërcipërisht stil jete. Me miq të rinj, në shtëpi të re, me projekte dhe objektiva të reja. Po me gjithë ndryshimet dhe risitë, Bledi mbetet po ai. Me të njëjtat emocione, të njëjtën ndjeshmëri (dobësi kjo) dhe të njëjtin karakter. Madje, është ai që nuk do të ndryshonte asgjë nga vetja. As sot, kur numëron shumë vite karrierë. Nuk ka asnjë pendesë për gjithçka ka kaluar, madje as nuk do të ndryshojë. Vetëm se ndihet pak fajtor. Për ato që, ai i quan gabimet që nuk i ka bërë akoma. Ka akoma kohë për të mësuar…
Në një profil tjetër përballë pyetësorit të Proustit në Class, Bledi zbulon më shumë për personazhin që nuk njihet nga të gjithë, për pikat e tij të forta, por edhe ato të dobëta, për ato që ndonjëherë nuk thuhen dot me zë të lartë. Por dëgjohen edhe me zë të ulët. Sepse janë ndjesi të gjalla…
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Vetmia e padëshiruar.
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?
Ne epokën aktuale, në New York.
Çfarë është lumturia për ty?
Prania e njerëzve të dashur.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtor?
Për gabimet që s’kam bërë.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
E kam të pamundur të zgjedh.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Gandhi-n dhe Martin Luther King-un.
Po heronjtë e jetës reale?
Prindërit e mi.
Piktori i preferuar?
S’kam marrëdhënie të mira me pikturën.
Muzikanti i preferuar?
Moxarti.
Cilësia që admiron më shumë te një burrë?
Fjala e mbajtur.
Po te një grua?
Besnikëria.
Virtyti i preferuar?
Empatia.
Aktiviteti i preferuar?
Ecja me qentë e mi.
Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?
Po ky që jam.
Tipari yt më i spikatur?
Nuk e di. Ndjeshmëria, besoj.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Sinqeriteti.
Cili është defekti yt më i madh?
Besoj më shpejt seç duhet.
Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?
Qen, padyshim.
Ngjyra e preferuar?
E zeza.
Lulja e preferuar?
Tulipani.
Shpendi që të pëlqen?
Pinguini.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Shekspiri dhe Aleksandër Dyma.
Po poetët?
Arthur Rimbaud.
Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?
Gënjeshtra.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
Aktrimin.
Si do doje të vdisje?
Në gjumë.
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
Të qetë, pak a shumë.
Cila është motoja jote në jetë?
Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh.