Në fund të vitit të kaluar, në atë atmosferë të zakontë nderimesh dhe vlerësimesh, Edit Dibra mori çmimin e përkthyeses së vitit nga Ministria e Kulturës dhe çmimin Kult për përkthimin më të mirë, gjithmonë për të njëjtin libër, “Robinja” të Marcel Proust-it. Aktualisht ka në dorë një tjetër roman të veprës së tij voluminoze “Në kërkim të kohës së humbur”. Përkthyesja e mbi 20 titujve, njëkohësisht koordinatore e zyrës së Erasmus-it në Tiranë dhe kaq ëmbëlsisht, nënë e tre fëmijëve, po punon për romanin e ri “E arratisura” dhe ndërsa ajo vazhdon t’u japë Proust-in shqiptarëve, ne e ftuam në pyetësorin që Proust-i i ka dhënë emrin. Nuk është hera e parë që Editi i përgjigjet këtij pyetësori, ashtu si dhe Proust-i, por të kthehesh te vetja...rrallë është përsëritje.
Dhe mësojmë në këto përgjigje për gjendjen aktuale shpirtërore, për heronjtë dhe personazhet e dashur, për poetët, shkrimtarët, piktorët e preferuar dhe për muzikantin, që është bashkëshorti i saj, Fabian Asllani. Dhe... si të ishte e thënë ta shprehnin në çdo formë marrëdhënien e tyre plotësuese, ndodh që aktiviteti i saj i preferuar është vallëzimi. Një Tokë pak “La La...” do fillojë të shfaqet dhe do e ndieni që nuk keni ngatërruar adresë, kur të lexoni moton e Editit.
Ka gjithmonë diçka përtej...edhe përtej fjalëve dhe asnjëherë nuk duhet reshtur së kërkuari. Nuk është kohë e humbur.
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Pika më e thellë e mjerimit, më e dhimbshmja, më poshtëruesja, më përçudnuesja është mjerimi në kuptimin e parë të fjalës, ai material, varfëria, të jetosh pa kushtet minimale për të bërë një jetë të denjë për një qenie njerëzore, për t’u ushqyer, për t’u veshur, për t’u garantuar fëmijëve sigurinë për të sotmen dhe shpresën për të ardhmen. Mjerimi metaforik që ne shpesh e identifikojmë me mungesën e vlerave, të lumturisë, të lirisë s’është asgjë po të krahasohet me urinë dhe skamjen.
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?
Do të zgjidhja të jetoja në një vend që të ofron më shumë mundësi, më shumë meritë, më shumë njerëzillëk, më shumë liri, më pak tabu, më pak hipokrizi, më pak mediokritet që shitet si vlerë, më pak banalitet, më pak Shqipëri si ajo ku po jetojmë sot.
Çfarë është lumturia për ty?
Lumturia përbëhet nga momente të shkurtra, fluturake, nuk është mbërritja në destinacion, përkundrazi shpesh na ndodh që arritja e një qëllimi “të madh” në vend që të na lumturojë, na lë një gjendje zbrazëtie të thellë. Lumturia është e paparashikueshme, është çdo çast kur bota të duket e bukur, mahnitëse, me ngjyra, mikpritëse, vendi ku ti e ndien veten “në shtëpi”dhe s’do të shkosh asgjëkund tjetër.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtore?
Ndihem mirënjohëse për të gjithë gabimet që kam bërë, pasi unë jam produkti i gabimeve dhe gjërave që kam bërë drejt në jetë. Gabimi është privilegj vetëm i qenies njerëzore dhe duhet vlerësuar si një dhuratë lirie në jetë.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Në rininë e hershme, kam pasur plot heronj në letërsi, Zarathustra ka qenë ai që më ka ndikuar më shumë, Don Kishoti ai që më ka frymëzuar më shumë, mami Roza tek libri i Eric-Emmanuel Schmitt “Oskari dhe zonja e purpurt” ai që më ka prekur më shumë. Adhurimi i heronjve më duket sot një këndvështrim fëmijor që fatkeqësisht e humbim duke u pjekur e duke u rritur.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Abraham Lincoln, i cili ishte i pari që ligjëroi heqjen e skllavërisë në 1863.
Po heronjtë e jetës reale?
Babai im, të cilit i ngjaj shumë.
Piktori i preferuar?
Jarek Puczel, një piktor bashkëkohës polak, i cili vetëm me një ngjyrë dhe një mimum linjash arrin të japë një pafundësi dhe kompleksitet ndjesish.
Muzikanti i preferuar?
Im shoq, Fabiani :).
Cilësia që admiron më shumë te një burrë?
Origjinaliteti, humori dhe bujaria.
Po te një grua?
Vetëbesimi.
Virtyti i preferuar?
Mirësia.
Aktiviteti i preferuar?
Vallëzimi.
Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?
S’kam uruar kurrë të isha dikush tjetër.
Tipari yt më i spikatur?
Këmbëngulja dhe vullneti.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Vetë miqësia.
Cili është defekti yt më i madh?
Virtyti im më i madh është dhe defekti im: guximi i tepruar.
Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?
S’do doja të isha asgjë tjetër veç të qenit njeri.
Ngjyra e preferuar?
Absolutisht e kuqja.
Lulja e preferuar?
E brishta vjollcë.
Shpendi që të pëlqen?
Korbi është shpendi që më intrigon më shumë.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Janë aq shumë, por po rendis thjesht të parët që më vijnë në mendje: Marcel Proust, Orhan Pamuk, Milan Kundera, Eric-Emmanuel Schmitt, Michel Houellebecq, Ernesto Sabato, Haruki Murakami, Amelie Nothomb.
Po poetët?
Më pëlqen pa masë një poet shqiptar që jeton në Itali, ka një poezi të kulluar, delikate e unike: Klodian Kojashi.
Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?
Mediokriteti.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
Të lexoja përtej fjalëve.
Si do doje të vdisje?
Sic thoshte gjyshja ime « me këmbë e me dorë ».
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
E papërpërshkrueshme me fjalë, ngjan me bekimin, plotësinë.
Cila është motoja jote në jetë?
Ëndërro dhe rreziko për të përmbushur ëndrrat e tua.
Lista e plotë e pëkthimeve
Lidhjet e Rrezikshme, Choderlos Laclos. (Dituria), roman
Robinja, Marcel Proust
Nënshtrimi, Michel Houellebecq (Scanderbeg)
Thërrmijat elementare Michel Houellebecq (Scanderbeg)
Biri i Noes, Eric Emmanuel Schmitt (Dita 2000)
Kur isha vepër arti Eric Emmanuel Schmitt (Dita 2000)
Djemtë e pashëm, Delphine de Vigan (Pegi)
Albumi i familjes, Renate Dorestein (Dituria)
Asgjë me rëndësi, Justine Levy (Dituria)
Agjentët, Ken Bruen, (Dituria), roman
Një kapriço e Bonapartit, Stefan Cvajg, (Fan Noli)
Procedura, Harri Mulish, (Dituria), roman
Psikopatologjia e jetës së përditshme, Frojd, (Fan Noli), psikologji
Ese mbi gjurmimin e pavetëdijes, Jung, (Fan Noli), psikologji
Një mit modern, Karl Gustav Jung, (Fan Noli), psikologji
Ditari i Ana Frankut, (Dituria), roman
Dashuria e Erika Evaldit, Stefan Cvajg, (Fan Noli), novela
Biografia e Kazanovës, Stefan Cvajg, (Fan Noli), novelë
Biografia e Tolstoit, Stefan Cvajg, (Fan Noli), novelë
Sonata e Krojcerit, Margritte de Moor (Dituria)
Presidenti Uillson, Frojdi, Fan Noli, psikologji, Vëllimi I dhe vëllimi II
Qirinjtë digjen deri në palcë, Sandor Marai, roman;
Kryeveprat e mendimit politik, Zherard Mairet, filozofi
E arratisura, Marcel Proust, në proces përkthimi