Përshëndetje miq të Revistës Class! Unë jam Greta dhe së bashku do të udhëtojmë si në filma.

Greta Meshi Instagram

Deri tani, kemi shijuar çajin britanik e kemi vizituar kryeqytetin e dashurisë. Sot do të bëjmë një udhëtim në Venecia. I njohur si qyteti lundrues, Venecia ka qenë e pranishme në veprat e shkrimtarëve të ndryshëm, filmat e regjisorëve të njohur, piktura, foto e kështu me rradhë. Qyteti është mikpritësi i festivalit më të vjetër të filmit dhe është mësuar që të ketë të bëjë me yje; vetë ai ka qenë ylli i shumë filmave.

Ëndrra e çdokujt është të shijojë disa pushimë në Venecia. Këtë bëri dhe Katharine Hepburn në rolin e Jane Hudson te filmi “Summertime” i vitit 1955. Që në momentin që zbret nga treni, Jane përballet me një jetë të re. Ajo shikon një realitet tjetër.

Gondola që shërbejnë si taksi, shatërvane dhe kisha antike, pëllumba në sheshin San Marco. Personazhi i luajtur nga Hepburn fillon të shijojë jetën italiane e bëhet pjesë e saj. Ajo tashmë i mban flokët lëshuar, vesh funde të lehtë, të fryrë, udhëton mbi vespa. Ndoshta ky është efekti që Venecia ka mbi njerëzit.

Qëllimi i regjisorit ishte të bënte një film mbi vetminë dhe forcën transformuese të dashurisë. Ai vetë ra në dashuri me qytetin italian dhe e bëri atë shtëpinë e tij të dytë. Filmi “Summertime” dhe dashuria e regjisorit për Venecian bënë që dhe njerëz të tjerë ta donin qytetin. Një vit pasi filmi doli nëpër kinema, pati një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve në Venecie.

Një vend që duhet ta vizitoni me patjetër është The Gritti Palace, aty takohet kultura me historinë, të përziera me stilin venecian. Gritti është vendi ku elita botërore mblidhet për tu shoqëruar me njëri-tjetrin, për të kërkuar inspirim e për të festuar.

Pas një dreke në restorantin e madh të hotelit, eksploroni tavanet e drunjta, hyrjen qëndrore, pasqyrat antike, llampat e murit të shek. XVIII e shumë detaje të tjera që do t’i gjeni vetëm te Hotel Gritti.

Venecia është bërë sheshxhirimi dhe i “The Wings of the Dove”.  Filmi na paraqet Venecian e shek. XX që ishtë pjesë e ‘Grand Tour’ të aristokratëve britanikë dhe amerikanë. Gondolat, pallatet dhe urat e Venecias janë background-i perfekt për Millie Theale, një aristokrate e sëmurë amerikane që udhëton me ‘Grand Tour’ në vitet e fundit të jetës. Nga ana tjetër kemi aristokraten britanike Kate Croy, e luajtur nga Helena Bonham Carter, që bën një plan për të trashëguar pasurinë e Millie-t. Historia e mashtrimit, dashurisë dhe sëmundjes tragjike ndërthuren me bukurinë e Venecias.

Në Venecie filmi është xhiruar në sheshin San Marco dhe Pallatin Barbaro. Sheshi njihet si “La Plazza” nga thuajse të gjithë. Mendohet se Napoleoni e quante atë “dhoma e vizatimit të Evropës”.

Por çfarë e bën Venecian kaq unike?

Venecia është vendi ku qielli, toka dhe deti bashkohen si askund tjetër në botë. Qyteti është gjeografikisht i veçantë; të jep përshtypjen e një qyteti që lundron. Por aty mund të humbësh lehtë, megjithatë shikoni anën pozitive të kësaj: eksplorimi i qytetit do të jetë më argëtues kështu.

Me kaq i vjen fundi dhe udhëtimit tonë për këtë javë. Ju lë takim javës tjetër në një tjetër qytet.

Përqafime,

Greta.