Për të gjithë lexuesit e apasionuar, dashamirësit e librit dhe ata që leximin e kanë kthyer në mënyrë jetese, ngjarje të përvitshme kulturore siç është Panairi i Librit priten me padurim.
Këtë vit mes listës së gjatë të librave të cilët duhet të rrëmbej për t'i bërë pjesë të bibliotekës sime, zbulova një autor të ri shqiptar, por aq premtues dhe origjinal, saqë gjatë leximit të librit të tij "Ciklopi" më krijonte deja vu me kryeveprat boterore.
Brajan Sukaj përdor një stil unik, me fjalor të përzgjedhur e të pasur dhe figura stilistike të panumerta, të cilat i shtojnë dozën artistike romanit të tij.
Ky roman i pazakontë, në të cilin nuk percaktohet drejtperdrejt as koha e as hapësira, e aq më tepër personazhet mbeten të paemërtuar, duke e humbur kështu nevojën e përshfaqjes, por duke i dhënë rëndësi ngjarjeve dhe përmbajtjes së vërtetë.
Siç mund të kuptohet edhe nga titulli, gjithcka lind me ardhjen në jetë të një fëmije me tipare të çuditshme, me shtatë gishta, nofulla të mëdha dhe sy të shkëlqyeshëm. Nëna e re, e cila trembej prej turmës po aq sa donte të birin, punonte, sakrifikonte dhe mundohej me mish e me shpirt për të plotësuar çdo gjë për djalin e saj të vetëm. Kulmi i romanit arrihet kur gruaja kryen një vjedhje për të plotësuar nevojat e të birit për barna dhe akuzat, gjyqi dhe gjykimi, të kthejnë edhe një herë ndër mend forcën e turmës, padijes dhe pashpirtësisë së brohorimave për dënim.
Gjykatesi, një burrë i arsyeshëm, korrekt dhe i drejtë, por me një fund tragjik për shkak të rrethanave, gati sa nuk e tregoi hapur se një nënë nuk mund të dënohet as për hajdutëri, nëse këtë të fundit e kryen për të shpëtuar jetën e fëmijës së saj. Gjithçka merr për kot në këtë qytet, i cili në fund pushtohet nga flakët, si për të treguar se xhindtë kanë një kujtesë të dobët historike.
Një nga hollësitë që më bëri më shumë përshtypje, teksa lexoja romanin është ndjeshmëria e lartë për figurën e nënës dhe gruas. Duket se simbolika e nënës është epiqendra e librit dhe dashuria e vetme e treguar,pa kushte dhe e fuqishme sa një katastrofë natyrore, ajo mes fëmijës dhe nënës.
Përshkrimi i vazhdueshëm i qytetit, ngjyrës së pandryshuar gri, mjegullave të paqartësisë dhe ankthit e trishtimit, më kujtojnë Kadaren e madh me librin "E penguara". Gjithashtu, gjyqi, vendimet drastike, lebetitjet e turmës dhe historia e një fëmije me pamje të papranuar nga shoqëria, më drejtojnë menjëherë te Hygo.
Fatkëqesia e nje qyteti, e cili vjen nga lindja e një fëmije të rralle e me tipare të pazakonta më sjell ndër mend librin "Parfumi". Në të vërtetë, ky nuk është as Kadare, aq me pak Hygo apo Süskind, ky është Brajan Sukaj, një emër i ri premtues i letrave shqipe, kandidat për çmimin letrar ‘’KADARE 2017’’.
Libri është rrëmbyes, të mban zemrën peshë, te shton ankthin e të bën ta lexosh deri ne faqen e fundit. Gjithashtu, pasi e mbyll kapakun, të bën te mendosh pak më gjatë dhe lë akoma disa ceshtje të pazgjidhura në kokën e lexuesit. Ky roman merr kthesa të papritura dhe është shkruar bukur me një rrjedhshmëri të brendshmë të vecantë.
Ju ftoj në leximin e një libri emocionues dhe të rrallë, ‘’Ciklopi’’ shkuar nga Brajan Sukaj.
Rilexohemi javën e ardhshme,
|Një tufë rrezesh nëpër RE