Duhen vlerësuar, sepse në vrapin e çdo dite harrojmë:

- Të puthim çdo mëngjes njeriun me të cilin zgjohemi dhe dashurojmë

- T’u lexojmë fëmijëve një përrallë, siç bënte me ne mami dhe babi

- Të shijojmë një akullore me qumësht si ato tek Pallatet Agimi

- Ose një byrek të lehtë që shkrihet në gojë si ai tek Liceu Artistik

- Të falënderojmë Zotin sa herë që tavolina, kur shtrohet, ka bukë mjaftueshëm për të mos ndjerë uri

- Të themi sa mirë që shohim diellin në dimër dhe ndjejmë pikat e shiut në verë

- Sa bukur që kemi mundësinë të jetojmë detin dhe rëra të na ngjitet nëpër trup

- Që kemi një mik, të cilit kemi harruar t’i themi sa e duam, sa e rëndësishme është të dish që e ke në jetë

- Që kemi mundësinë të pimë një gotë verë dhe të flasim përçart me gjuhën e imagjinatës dhe fantazisë pa kufij

- Të ëndërrojmë

- Të vallëzojmë një mbrëmje në shtëpi me njeriun që duam, sepse s’kemi as kohën të dalim në club dhe as mundësitë për të shkuar në Republikën Domenikane ose në Cuba

- Të blejmë diçka të vogël sapo marrim pagën dhe të na duket si lumturia më e madhe

- Të mbledhim petalet e trëndafilit dhe të provojmë të prodhojmë një parfum

- Të blejmë një tufë zambakësh tek ajo gruaja buzë rrugës në Bllok me shumë pak lekë dhe t’i vemë në një vazo me ujë

- Të buzëqeshim me një të panjohur

- Te bëjmë disa kilometra me biçikletë ose duke ecur, duke u lënë pemëve CO2, por edhe ngarkesën, inatin, zemërimin, lodhjen, revoltën, problemet tona

- Të përgatisim një gotë çaj dhe ca biskota që te shtëpia të vijë aromë gjalpi dhe vaniljeje

- Të shijojmë një pjatë makaronash me domate dhe borzilok dhe vaj ulliri (Borshi), nëse s’kemi një Extra Vergine Italian

- Të ndezim një qiri dhe të kujtojmë dikë të shtrenjtë që nuk jeton më

- Të puthemi, të dashurohemi

- Të nisim ditën me aromën e kafesë në një ibrik të thjeshtë në kushte shtëpie

- Të udhëtojmë me tren e të lexojmë një libër a një revistë për arredimin e shtëpisë pa ëndërruar për jahtet dhe avionët privatë të blogereve që s’dinë si të prishin paratë

- Të gëzohemi, sepse kemi një punë që duam dhe të shkruajmë tek ekrani i kompjuterit

1000 gjërat e vogla. Janë jeta që kam dhe që dua!