Ah! Sot nervat më dolën nga kafazi i trurit... Sot në aeroport jam hakmarrë për çdo shqiptar që trajtohet keq pa të drejtë në pikat kufitare, sot jam hakmarrë për çdo grua që trajtohet keq nga një grua ( nga një police grua që për më tepër duhet në një profesion burrash të na përfaqesojë denjësisht, të na mbrojë, të na dojë). Dhe ky reaksion ndodhi jo se jam njeri skandalesh, por sepse kurrë në jetën time s'e kam poshtëruar një grua, dhe kurrë s'kam qenë raciste...
Është e pamundur të pranosh që në pika të ndryshme kufitare në Evropë, aeroporteve, “shqiptarët” të trajtohen si njerëz pa dinjitet, të diskriminohen, të merren në pyetje sikur janë të gjjthë “kriminelë”, “hajdutë” apo “trafikantë droge”.
Sigurisht ka pasur nga ata që këtë reputacion e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta fyejnë dhe dëmtojnë, por nuk mund t'i fusësh të gjithë njerëzit në të njëjtin thes!
Nuk e kuptoj se si një studente me portret qytetar, një vajzë shqiptare e këndshme e veshur bukur, apo një businessman që për më tepër shpenzon paratë në një vend si Italia, të trajtohet aq keq, pa shkak!
Bëra skandal në aeroport sot me një police grua!
Me burrat ke shans të shkosh pak më mirë sidomos nëse je bionde dhe ke lyer buzët me të kuqe!
Por nëse je simpatike dhe përballë ke një grua që nuk është gdhirë mirë, duhet të kesh kujdes dhe frikë; nga check in-i deri tek pasaportat...
Tmerr, horror, e pafalshme...
Sigurisht edhe policët nuk janë të gjithë njësoj, sigurisht ata kanë të drejtën të bëjnë punën e tyre, por tonin e zërit ta lëmojnë pak, fjalët e kortezisë t'i vënë në përdorim, dhunën verbale thjesht se kanë një uniformë policie veshur ta përmbajnë se në kohën që jetojmë secili nga ne ka të drejtë ta përdorë të paktën për një qëllim të mirë një armë virtuale!
Ata duhet të kenë frikë nga ne kur s'kanë arsye për të na bërë të ndihemi keq, nxirrni celularin, xhirojini dhe denoncojini online ku të mundeni... Ekziston gjithmonë mundësia që për shkak të atij guri që kanë në vend të trurit dhe zemrës, të qëllojë një komandant i mençur që mund t'i heqë nga puna! Sa herë të keni një rast të ngjashëm, na e nisni videon në mesazh... Do t’ju vijmë në ndihmë!