Sot, nisa Vitin e Ri me një lajm: jam promovuar këtë vit brenda kompanisë. Tani kam një pagë dhe pozicion më të mirë. Si të thuash, jam “shefe”. S’më pëlqen as të më thonë shefe, por shefja më thotë që tani jam “shefe”. Meqë tek libri “Të ecim para” nga Sheryl Sandberg kam mësuar një leksion të rëndësishëm mbi konfidencën, le të themi që jam shumë krenare që ia dola të bëhem “shefe”. Nuk rri dot pa i shkruar dy fjalë entuziazmi për këtë dhuratë.
Kaq shumë ma ka nxirë jetën ish-shefja ime, kur punoja në një kompani tjetër! Oh, Zot! S’kam gjë me beqaret (se beqare jam vetë), por ajo ishte rreth 40 vjeç, beqare, dhe, me thënë të drejtën, shumë e frustruar. Tabela e saj e preferuar e qitjes isha çdo mëngjes. Ishte në kërkim të një burri dhe sa herë që nuk i ecte në daljet romantike, na bënte përshesh ne që na kishte nën vete. Pa shkak. Po të ishe e aftë, edhe më keq akoma. Kam asistuar se si, në mënyrë spektakolare, minoi karrierën e një vajze vërtet të aftë. Nuk e kuptoj pse ishte kaq e pasigurt ndërsa ishte e kualifikuar dhe e zonja në punën e saj.
Mësim nr 1: Kurrë s’do bëhem një shefe si “Ajo” i pata premtuar vetes. Dhe ia kam dalë në këto dy muaj të parë. Do vazhdoj t’i kem aleate koleget e mia për sukses, sidomos nëse janë vajza. Dritës dhe flakës së një qiriri s’i ndodh asgjë, nëse ndez një qiri tjetër.
Ish-shefja ime ishte një delirante e paparë. Simpatike në pamje, “look” tipik i zyrtares seksi me syze, funde të ngushtë tub, këmisha me tri kopsa të zbërthyera, xhaketa, kostume; “ikonë mode”, s’ke ç’i thua!
Përveç 2-3 kolegeve në departament, ne të tjerat pagat i kishim larg saj për të qenë “firmato” nga koka tek këmbët, ndaj “karshillëku” i këpucëve trak-trak dhe zëri i lartë për të treguar markat, ishte një bezdi e vërtetë, një mungesë etike e theksuar.
Mësim nr. 2: Kurrë s’do t’i bëj ata që kanë më pak se unë të ndihen keq. Dhe, në fakt, mes nesh ka vajza që edhe pse vishen yll, me HM, kanë mjaftueshëm sjelljen dhe të vetëndjerën për të pasur në krah një çantë “Chanel”.
Unë Samanta, premtoj që do të jem një shefe konstruktive, njerëzore, motivuese.
Me dashuri, Samanta!