"Lufta" me peshën trupore është një nga ato betejat më të ashpra me veten. Sidomos kur të njohin të gjithë sepse ke angazhime publike për shkak të profilit dhe punës që bën, transformimet fizike janë të parat që bien në sy. Ndër vite, kanë qenë të shumtë të famshmit shqiptarë që na kanë befasuar me ndryshimet e tyre në pamjen e jashtme, por disa syresh prej tyre kanë dalluar më tepër për një detaj: dobësimin drastik dhe rrëzimin e shumë kilogramëve brenda një periudhe të shkurtër kohore. Sekreti i tyre? Dieta, palestër, regjim strikt ushqimor, aktivitet fizik, në intervista e dalje të ndryshme publike, secili prej tyre ka zbuluar "recetën" e suksesit për një super trup, tashmë. Pa kilogramë shtesë, por në komoditetin e peshës ideale, me linja të tonifikuara dhe një super fizik. Le t'i zbulojmë bashkarisht se për cilët VIP-a bëhet fjalë...

Linda Halimi

Një nga historitë e rralla dhe frymëzuese që ka për protagoniste këngëtaren Linda Halimi. Ajo ka mundur të rrëzojë plot 50 kilogramë nga pesha trupore, madje transformimi i saj u bë objekt mediatik edhe në mediat amerikane, ku në revistën "People" Linda u etiketua si një histori suksesi se si një vajzë mundi të dobësohet në mënyrë kaq drastike.

Sekreti i saj? Stërvitje në palestër, një regjim i rregullt dhe i shëndetshëm ushqimor, konsumimi i 1.4 litrave ujë në ditë. Ndërkohë që vetë Linda, zbuloi se ka pesë vite pa ngrënë një copë picë. Rezultatet janë fort të dukshme.

Vedat Ademi

Këngëtari i njohur që prej vitesh jeton mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një zë i dashur për publikun. Por, veçmas muzikës që ai bën, transformimi i dukshëm fizik që Vedat Ademi ka pësuar kohët e fundit është një detaj që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Ai ka pohuar se është dobësuar 15 kilogramë duke shkuar pikërisht në peshën e tij ideale. Sport, regjim ushqimor i përzgjedhur, ai tregon sekretin e dobësimit të tij: “Sigurisht që mundohem të mbaj regjim dhe vazhdoj të merrem me palestër. Si fillim kam bërë gjashtë ditë në javë palestër, kurse tani katër ose pesë ditë, varet edhe nga angazhimet që kam. Zakonisht konsumoj peshk dhe pulë, sallatë, sigurisht edhe ushqime të përgjithshme. Më rrallë pasta e brumëra në mënunë time ditore”.

Sara Hoxha

Sot, ajo ka statusin e mamasë së dy djemve dhe është sërish në një formë të shkëlqyer fizike. Trashëgimtarja e pasur e Top Channel, Sara Hoxha i tregoi të gjithë ndjekësve të saj virtual, por edhe fansave të shumtë vendimin që mori për të ndryshuar përgjithmonë fizikun e saj duke "rrëzuar" shumë kilogramë peshë trupore. Përmes një postimi në Instagram, Sara rrëfeu vendimin e saj për të ngushtuar stomakun dhe ndjesinë pas kësaj ndërhyrjeje.

"1 vit pas by pass-it. Sinqerisht, mund të them se ka qenë vendimi më i mirë i jetës sime, por nuk do t’ia rekomandoja dikujt që do të humbasë peshë. Ka vajza që më shkruajnë çdo ditë dhe që duan të humbasin peshë, por unë nuk dua t’i bëj reklamë një kirurgjie të tillë. Kush jam unë që t’ju jap këshilla. Unë nuk munda të humbisja peshë nëpërmjet një jete të shëndetshme”, shkroi asokohe ajo. Gjithsesi, Sara Hoxha duket shkëlqyeshëm me fizikun e saj aktual.

Rudina Dembacaj

Aktorja e njohur e humorit e ka treguar "fitoren" e saj me kilogramët e tepërt, si një nga arritjet e rëndësishme në jetë, në momentin sidomos kur kupton që nuk ndihesh rehat me trupin tënd. Rudina Dembacaj, gjatë një interviste televizive u shpreh se mundi të rrëzojë plot 35 kilogramë, vetëm tre muaj pas lindjes së vajzës. “Kur isha studente në Shkodër isha 89 kile. Shoqet më thoshin që duhet të dobësohem, motra po ashtu. Nuk u konsultova me dietologë, u kujdesa për veten time.

Fillova të lexoja për karbohidratet dhe proteinat, bëhesh vetë doktor i vetes. Mua më pëlqente dhe alkooli atëherë. Ulesha me xhaxhanë dhe pija raki. Për dy muaj nuk i kisha thënë askujt se po mbaj dietë. Këtë gjë i besova vetes dhe rashë 35 kile për tre vite. Njerëzit surprizoheshin. Kishte njerëz që ju vinte gjynah për mua”, u shpreh artistja. Dhe ndryshimi është i dukshëm. Ajo duket në super formë fizike dhe shumë e kënaqur me veten e saj.

Anxhela Peristeri

Për të është një trofe nga ata të rëndësisë së veçantë, që ka lidhje direkt me mirëqenien fizike. Anxhela Peristeri ka pasur prej vitesh le ta quajmë një "luftë" të heshtur me peshën e saj. Shëndoshje e dobbësim dhe më në fund erdhi vendimi i shumëpritur: këngëtarja u dobësua 16 kilogramë për shtatë muaj. Sekreti? "Kam eleminuar në mënyrë drastike brumërat, sidomos bukën", tha ajo gjatë një intervistë në televizion. Dhe ja ka dalë më së miri! Ajo është e kënaqur me fizikun aktual dhe në asnjë moment nuk resht së postuari foto e video të ndryshme që i ekspozojnë edhe më shumë linjat e saj.

Big Mama

Ajo njihet jo vetëm për muzikën dhe hitet e saj, por edhe për batutat dhe mënyrën origjinale të të thënit të gjërave. Big Mama, sot, përtej artit që bën është mirfilli një histori suksesi përsa i takon dobësimit dhe transformimit fizik.

Besojmë se e mbani mend versionin e këngëtares së shëndoshë disa vite të shkuara. Pas një operacioni të vështirë që zgjati plot tetë orë siç ka rrëfyer këngëtarja, pas ndërhyrjes që bëri në stomak, Big Mama e ka vijuar procesin e dobësimit duke ndjekur një dietë rigoroze. Nuk ha bukë, nuk konsumon ëmbëlsira. Prej disa vitesh regjimi i saj ditor ushqimor përmban vetëm sallatë dhe mish. Dhe ajo duket kaq mirë fizikisht. 

Monika Kryemadhi

Një nga gratë më aktive të politikës në vend, njëherësh edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duket se përtej politikës, një nga sfidat më të qenësishme dhe të pranuara edhe në publik ka pasur atë me kilogramët e tepërt. Ajo pohon se vendimin për t'u dobësuar e mori pikërisht ditën kur konstatoi se ishte dyfishi i peshës së bashkëshortit të saj, Ilir Meta. Sekreti i dobësimit? Ka kufizuar ushqimin dhe ndjek një dietë të rregullt dhe të shëndetshme ushqimore. Rezultati është më shumë se i dukshëm. Monika është në super formë fizike.