Nëse nuk ia keni dëgjuar më herët historinë, por ia dini mirë emrin dhe profilin në Instagram, atëherë e keni bërë gjysmën e rrugës. Është blogere? Po, është edhe blogere, sepse me fotot e mrekullueshme që poston në llogarinë e saj s’mund të jetë gjë tjetër… Por ky është vetëm fillimi. Sepse po të hidheni pak te përshkrimi, aty do të kuptoni më shumë për atë që është dhe përfaqëson Rina Malsori.

Rina ka bërë një rrugë të gjatë derisa të vinte tetori i vitit 2020 – kohë kur drejtoresha ekzekutive e “Frutti” në Kosovë, të vlerësohej mes shumë grave të tjera të kompanive mjaft të suksesshme në botë. Ende e re, një prej lidereve të lindura për biznes, Rina u kthye në shembull për të gjitha vajzat e reja që aspirojnë të arrijnë në jetë ëndrrat e tyre. Sepse asgjë nuk të ndal, nëse e do fort diçka…

Sot, më 8 Mars, në një ditë simbolike për të gjitha gratë në të gjithë botën, edhe Rina Malsori flet me zërin e saj, që nuk është ndalur asnjëherë për të mbështetur të gjitha gratë sipërmarrëse, por edhe ato të të gjitha fushave, që dinë të ecin, të ndjekin dhe të arrijnë ëndrrat e tyre.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Rina Malsori (@rinamalsori)

Biznesi të cilin Rina drejton prej vitesh në Kosovë është një ndër më konkurrentët në vend që di gjithmonë të mbajë një vend “on top”. Nuk është aspak rastësi, ashtu siç nuk është rastësi edhe figura përfaqësuese në krye të tij. Të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e dinë mirë që Rina “mendon biznes” në çdo orë të ditës, ashtu sikundër edhe punon fort për të.

Megjithatë, absolutisht di edhe të vlerësojë gjërat e bukura të jetës; ushqen trurin me muzikë, pa të cilën nuk e mendon dot jetën, i kthehet herë pas here tenisit, sportit të saj të preferuar, por njëkohësisht ushqen edhe blogun, llogarinë e saj në Instagram ku e ndjekin me mijëra fansa. Shumë prej këtyre të fundit e shohin me zili për gjithçka Rina zotëron, por ka edhe shumë të tjerë që duan t’i ngjajnë për vullnetin, kurajën dhe talentin e jashtëzakonshëm për të qenë lider. 

Një prej sipërmarrëseve më të suksesshme shqiptare, e cila vijon të ngjitë shkallët e karrierës me shumë përkushtim, është modeli më i mirë i krahasimit për të gjithë bashkëmoshatarët e saj. E lindur për të qenë lidere, Rina tani gëzon edhe çmimin e parë mes 40 njerëzve të kompanive të suksesshme nga e gjithë bota.

“Pavarësisht që aty ka pasur njerëz më të suksseshëm se unë, mendoj se u vlerësova për faktin se, në një moshë të re, në një vend ku femra e ka shumë të veshtirë të zotërojë një kompani, aq më tepër në një kohë të vështirë, dhe të jetë e suksesshme….”

Ja që Rina ia doli. Jo sepse u nderua me një çmim në biznes, gjë që për një modeste si ajo, kjo nuk është edhe aq e jashtëzakonshme. Më shumë se çmimi, atë e bën krenare figura femërore që konkurron njëlloj dhe me të gjithë, ballë për ballë.

Nëse suksesi do të kishte një emër, ai do të ishte Rina Malsori. Në një ditë të veçantë, 8 Mars, kur gratë në të gjithë botën ngrenë zërin e shpirtit për të drejtat e tyre, Rina është një zë edhe më i fortë në mbështetje të tyre.

Për gratë e kohës sonë, por edhe për ato që do vijnë… Mjafton ta thuash me zë e me kokën lart “Jam Grua’’.