Varianti i Afrikës së Jugut është përhapur në disa vende të botës dhe sot u konfirmua rasti i parë edhe në Kosovë. Sipas ekspertëve, variant afrikan i koronavirusit mund të kërcënojë mbrojtjen e ofruar nga vaksinat ose infeksioni i mëparshëm Covid.

Një studim në Izrael - ende i pakonfirmuar - zbuloi se disa njerëz që ishin vaksinuar plotësisht kundër Covid, sërish ishin infektuar me variantin e Afrikës së Jugut.

Çfarë është varianti i Afrikës së Jugut?

Të gjithë viruset, përfshirë edhe atë që shkakton Covid-19, shndërrohen vazhdimisht në versione ose variante të reja. Këto ndryshime të vogla gjenetike ndodhin ndërsa virusi bën që kopjet e veta të përhapen dhe të lulëzojnë. Shumica janë pa pasoja dhe disa madje mund të jenë të dëmshme për mbijetesën e virusit, por disa variante mund ta bëjnë virusin më infektues ose kërcënues për njerëzit.

Varianti i Afrikës së Jugut, i njohur gjithashtu si 501.V2 ose B.1.351, ka disa ndryshime të rëndësishme që ekspertët po studiojnë.

A është më i rrezikshëm?

Varianti i Afrikës së Jugut mbart një mutacion, të quajtur N501Y, që duket se e bën atë më ngjitës ose më të lehtë për t’u përhapur. Një mutacion tjetër, i quajtur E484K, mund ta ndihmojë virusin të shmangë sistemin imunitar të një personi dhe mund të ndikojë në funksionimin e vaksinave të koronavirusit.

Nuk ka asnjë provë që varianti i Afrikës së Jugut shkakton gjendje shëndetësore më serioze për shumicën dërrmuese të njerëzve që infektohen. Ashtu si me versionin origjinal, rreziku është më i lartë për njerëzit që janë të moshuar ose kanë probleme shëndetësore.

Megjithatë, ende ka shqetësime se mund të përhapet më lehtë dhe vaksinat mund të mos funksionojnë aq mirë kundër tij.

Burimi: BBC