- Ba?

- Po, Era…

- Je aty?

- Sigurisht, gjithmonë këtu do jem.

- E sigurt? Ma premton?

- Ta premtoj, mjafton të ngresh pak kokën lart dhe do shohësh Pëllumbin e bardhë…

‘Babai duhet të jetë dashuria e parë e së bijës’ është një shprehje klishe që i ka shoqëruar shumë vajza gjatë fazës së tyre të rritjes, por kur bëhet fjalë për vajza të vetme, pa motër e pa vëlla tjetër, dashuria e të atit është një etalon të cilin ajo nuk do të donte ta krahasonte me askënd. Natyrshëm do të niste të krahasonte tiparet e tij, fizike dhe shpirtërore, me ato të partnerit të saj të ardhshëm. Mashkulli i parë që ajo do t’i refererohet gjithmonë, do ta konsiderojë perfekt dhe më të mirin gjithmonë është pikërisht i ati. Në pamje të parë duket kaq e natyrshme, në realitet është e pazëvendësueshme. Sepse e tillë është dashuria që kanë krijuar për njëri-tjetrin atë e bijë, që në muajt e parë të jetës derisa ajo… bija, një ditë t’i përkasë dikujt tjetër. Ndonëse nuk mbaron këtu. Sepse fundi është i trishtë…

Ishte e mrekullueshme, idilike, e rrallë, e pazëvendësueshme. Është e errët, boshe, e varfër… Gjendja që ka krijuar dhe ka lënë pas humbja e të atit, njeriun për të cilin Era Rrumbullaku dhe e ëma, Afërdita, do të bënin gjithçka, por nuk ia dolën dot ta ndalnin e ta nxirrnin nga kthetrat e egra të Covid-it. Që kur nisi pandemia që mori mijëra jetë në të gjithë botën, ne të gjithë luteshim të ishte sa më larg nesh, por ajo nisi të afrohej dalëngadalë pa kursyer askënd dhe pa përzgjedhur. Disa patën fatin e madh ta kalonin lehtësisht virusin, të tjerë, edhe pse në gjendje të ndryshme shëndetësore, me apo pa probleme të rënda, luftuan deri në fund, por nuk ia dolën. Babai i Erës, Pëllumb Rrumbullaku, ishte njëri prej tyre: “Çfarë fiziku, kolos, nuk na besohet akoma si u mposht në vetëm disa ditë. Kurrën e kurrës s’mund ta imagjinonim. Nuk vuante nga sëmundje të tjera kronike, as nuk kishte probleme serioze me shëndetin, por ja që Covid-i e vuri poshtë”, – nis të rrëfejë Era e përlotur.

Kanë kaluar pothuaj 8 muaj pa të, por dhimbja është ende e freskët. Koshiente që jeta duhet ta gjejë rrugën e re, tashmë pa mbështetjen kryesore, Era e ka të vështirë ta pranojë. Prej disa muajsh, ajo dhe e ëma kanë dalë rregullisht të punojnë në zyrën e agjencisë së tyre “Kouzon”, por sapo vjen darka e duhet të kthehen në shtëpi, gjithçka i kthen pas e mungesa e kryefamiljarit ndihet si në ditën e parë.

Pyetja e lodhshme, por e detyrueshme në kësi rastesh “si ndodhi?”, të vjen menjëherë me përgjigjen “më mirë mos na pyet”, nga ngarkesa e madhe emocionale që vazhdon t’i shoqërojë nënë e bijë. As njëra dhe as tjetra nuk mund ta përshkruajnë dot me fjalë atë që po kalojnë. Tashmë gjithçka u ndodh në jetë e shohin me sy tjetër. Në zyrën e “Kouzonit” hyjnë e dalin tipologji të ndryshme njerëzish, me nevoja e dëshira nga më të çuditshmet. Halle, jo më pak: “Hall është ky yni, na ka ikur koka e shtëpisë…”, – thonë të dyja me zë të mekur, duke dashur njëkohësisht t’u japin zemër të rinjve dhe të gjithë njerëzve që rekrutojnë për punë në zyrën e tyre: “Jini njerëz të mirë e merrni më të mirën nga jeta, se është shumë e shkurtër e nuk dimë çfarë surprizash na ka rezervuar”.

Pyetjes ku e gjetën forcën për t’iu rikthyer punës dhe jetës së përditshme, Era i përgjigjet: “Nuk kishim zgjidhje tjetër… Nëse do vazhdonim të rrinim në shtëpi, do ishim çmendur. Orët e gjata në punë na heqin pak mendjen e na largojnë pak dhimbjen. Qenka shumë e vështirë, nuk mund ta imagjinoni ç’po kalojmë, por nuk kemi ç’bëjmë…”

Kujtimet janë të panumërta, Era s’mund të veçojë njërin më shumë se të tjerët. E përlotur nis të kujtojë që nga darkat e ngrohta familjare, udhëtimet, ceremonitë e saj në shkollë e shumë ditë e net me të atin, që asgjë dhe askush më nuk do mundet t’i zëvendësojë: “Nuk mund të veçoj vetëm një kujtim, pasi çdo moment dhe çdo kujtim me babin për mua është i veçantë. Kafetë tona, drekat e fundjavave, udhëtimet e panumërta, ceremonitë e diplomimit si në Bachelor, ashtu edhe në Master, ku babi ndihej shumë krenar për mua, darkat kur mblidheshim në shtëpi për të parë film (zgjedhjen e filmit, sigurisht ma besonte mua). Janë aq kujtime sa një jetë nuk më del për t’i treguar...

Është shumë e trishtë dhe tej mase e dhimbshme për mua që babi, njeriu që më ka dhuruar kujtimet më të bukura deri më sot, bashkë me mamin, kthehet vetë në kujtim”.

Megjithatë, gjithçka duhet të vazhdojë, sepse jeta ka ciklin e saj dhe është mizore nganjëherë, kur nuk të pyet nëse ke apo jo dëshirë të vazhdosh: duhet ta bësh, sepse duhet t’u bindesh ligjeve të saj. Tani, Era ka edhe një motiv më shumë për të vijuar rrugën e të atit, pa lënë në mes asgjë që ai do të donte ta vazhdonte: “Unë do ta vazhdoj patjetër rrugën që ai la në gjysmë, sepse tani kam arsyen më të madhe dhe motivimin kryesor – babin, për të realizuar gjithçka që donte ai për mua. Dua të ndihet krenar aty ku është, sepse e di që më ndjek dhe do më ndjekë në çdo hap të jetës…”

Duke iu bindur dëshirës së tij më të madhe, Era thotë që tani “duhet të jem e fortë, të eci përpara në jetë e në karrierë e të realizoj të gjitha planet dhe dëshirat që babi kishte për mua”.

Vetëm se tani, nënë dhe baba për Erën duhet të jetë Afërdita, e ëma. Janë kudo bashkë; në shtëpi, në punë, në udhëtime, por nuk është aq e thjeshtë të bësh edhe rolin e babait: “Çfarëdo që të mundohet të bëjë mami, mungesa e babit është dhe do të jetë përherë e pazëvendësueshme dhe boshllëku është jashtëzakonisht i madh. E vetmja gjë që ne mundemi të bëjmë ndaj njëra-tjerës dhe që babi do e dëshironte, është që t’i rrimë pranë njëra-tjetrës e të jemi të lidhura si gjithmonë, ashtu siç kemi qenë e do të jemi, pa diskutim”.

Megjithatë, Afërdita ka tashmë një ngarkesë të dyfishtë. Përveç dhimbjes për largimin e parakohshëm nga jeta, ajo ka edhe dhimbjen e Erës: “Ishte shumë e lidhur me të atin, nuk mund ta krahasoj me asgjë raportin e tyre. Shpeshherë, bëhesha xheloze, sepse ndodhte që bëheshin të dy bashkë dhe më “sulmonin” mua”, – tregon duke vënë buzën në gaz me vështirësi edhe për ta zhdramatizuar pak situatën.

Ajo, më mirë se kushdo tjetër, e di që, sado e zbehtë, forca duhet gjendur – në emër të jetës dhe për hir të Erës: “Forca është goxha e zbehur, por përpjekjet janë të mëdha për të vazhduar jetën me optimizëm dhe për të ecur para në çdo aspekt, veçanërisht në aspektin profesional të Erës, ku bazohej edhe ëndrra e tij. Ai është forca jonë, mbështetja dhe frymëzimi ynë më i madh. Është kaq pranë nesh në çdo moment, e pabesueshme që s’është fizikisht, por kaq e besueshme që është engjëlli ynë mbrojtës dhe këshillues”.

Ditët ia lënë vendin njëra-tjetrës, por dhimbja është ende aty. Puna dhe komunikimi me bashkëpunëtorët gjatë gjithë ditës, koha që Era dhe Afërdita kalojnë në zyrën e “Kouzonit” duket se ua heq disi mendjen nga brenga e tyre e madhe: “Eh... dhimbja është kaq e madhe sa vështirë të them lehtësohemi plotësisht, por mundohemi. Përfshirja me punë në zyrë, me orare të zgjatura, komunikimet dhe takimet me partnerët e biznesit, përpjekjet për të hapur programe të reja, madje dhe vështirësitë e ndeshura në këtë vit të zymtë, na bëjnë të jemi të zëna dhe kjo gjë na e lehtëson sadopak dhimbjen”, – shton Afërdita, e bindur që kështu duhet të jetë.

Era e humbi të atin pak muaj më parë dhe nuk mundi t’i dhuronte atij disa gëzime kyçe që, me siguri, ajo do t’i përjetojë në një të ardhme të afërt. Nuk do ta ketë më afër në ditët e saj më të bukura dhe më pak të tilla. Por dhimbjen e tyre, nënë e bijë urojnë që ta përjetojnë sa më pak e sa më larg të gjithë:

"Dashuria për prindërit lind bashkë me njeriun, ndërsa respekti fitohet në jetë. Çdo i ri duhet të bëjë më të mirën t’i gëzojë prindërit, sepse ata janë njerëzit më të afërt, që ju duan vetëm të mira, në furtunë e në sukses vuajnë e gëzojnë më shumë se gjithkush,  t’i doni dhe t’i respektoni, dhe në rast se i humbni, vazhdoni ëndrrat e tyre të lëna në mes".

- Ba?

- Po, Era!

- Je aty akoma?

- Në çdo moment, në çdo hap, në çdo gëzim e brengë… Mjafton të ngresh pak kokën.

- E di, e bëj vazhdimisht…

- Dhe çfarë sheh?

- Pëllumbin e bardhë…

- …