Pak kohë më parë, modelja Emily Ratajkowski u përball me kritika të shumta nga njerëzit online, pasi publikoi një foto me të birin në krah. Sipas ndjekësve, kjo nuk ishte mënyra si mbahet një fëmijë dhe ajo nuk meritonte të ishte nënë.

Pas mesazheve të shumta, Emily ka reaguar vetëm tani me një postim në Instagram. Katër muaj pasi mirëpriti të birin, Sylvester, modelja iu drejtohet njerëzve që paragjykojnë nënat, duke risjellë në vëmendje rastin e Britney Spears, e cila shumë vite më parë u fotografua duke i dhënë makinës me të birin në prehër dhe u përball me fjalë e kritika nga më të ndryshmet.

"Ne të gjithë po reflektojmë përsëri pasi bullizuam Britney Spears dhe e quajtëm atë një nënë të keqe", - shkroi modelja 30-vjeçare në Instagram Story. "Ne flasim për mënyrën se si duhet të "bëjmë më mirë" si një kulturë. Ndërkohë, komentet e mia janë të mbushura me vërejtje të tmerrshme se si nuk e meritoj të jem nënë. Turp për të gjithë! Nuk më intereson nëse më urreni apo urreni personat e famshëm (ose thjesht urreni gratë), por është tepër e frikshme të bëhesh prind dhe askush nuk meriton t’i thuhet nga të huajt se është një nënë e keqe.”

Ratajkowski dhe burri i saj, Sebastian Bear-McClard, e mirëpritën djalin e tyre Sylvester Apollo Bear, në muajin mars.

"Kjo nuk është mënyra se si mbahet një fëmijë @emrata - dhe miliona ndjekësit e tu nuk duhet të inkurajohen të bëjnë të njëjtën gjë", shkroi Piers Morgan në Twitter në qershor. "Jam i lumtur të të jap disa këshilla nëse keni nevojë për to."

Pas vërshimit të kritikave, modelja çaktivizoi komentet në foton me djalin e saj.