Sa herë është afër Shën Valentini, shumë prej jush kërkojnë një dhuratë speciale për njeriun e zemrës, diçka të personalizuar që nuk e ka askush. Mbase ka edhe nga ata që e mbyllin “detyrimin” me një buqetë trëndafilash të kuq (një dhuratë universale dhe shumë romantike edhe kjo), por ka edhe të tjerë që ia dalin gjithmonë t’i bëjnë surpriza unike partneres apo partnerit.
Në një periudhë kaq të ëmbël të vitit, kur vitrinat janë të tejmbushura me zemra të kuqe, është e zakontë të joshesh nga ofertat që të bëhen, por një dhuratë unike, që e ka vetëm ajo/ai është e vështirë të gjendet gjithmonë.
Nëse doni ta bëni njeriun e zemrës të ndihet vërtet i veçantë këtë vit, nëse po kërkoni diçka ndryshe, që nuk u ngjan aspak dhuratave që mund të keni bërë deri tani, mund ta personalizoni. Por mos u ngutni të mendoni se është diçka e stampuar me ditën e lindhjes suaj, një vend që e keni shumë për zemër, shenja e horoskopit, një tatuazh apo një aksesor unik me emrin e saj. Kjo që do t’ju prezantojmë është muzikë e personalizuar. Po, as më shumë e as më pak se një muzikë e shkruar enkas për njeriun më të dashur – një partiturë me QR code.
Krijuesi është një kompozitor, Enea Sadushi, të cilit ideja për të bërë një dhuratë të tillë i erdhi fare rastësisht. Një mik i kërkoi një ninullë për të bijën – të ishte e krijuar enkas për të dhe të mund ta dëgjohej gjithmonë. Ok, partitura nuk ishte e vështirë të shkruhej, po si do të realizohej prezantimi dhe pastaj si do të dëgjohej melodia gjithmonë? Përmes një QR code, i cili mund të hapet menjëherë sapo e skanon (meqenëse mbetëm duke skanuar vetëm faturat e blerjeve :)).
Pas këtij rasti, Eneas i lindi ideja për të krijuar një profil në Instagram dhe prej andej të mund të krijonte të tjera melodi të personalizuara, të cilat janë unike për këdo që i porosit. Natyrisht, edhe këtu duhet të plotësohen disa kushte; natyra e personazhit për të cilin po krijohet kjo melodi, rasti i dhuratës dhe, pa dyshim, mesazhi që duhet të mbartë ajo në vetvete.
Nëse ende nuk e keni kuptuar pse duhet të zgjidhni një dhuratë unike këtë Shën Valentin për njeriun tuaj të zemrës, Enea jua shpjegon ekskluzivisht në këtë intervistë në Class.
View this post on Instagram
Si të lindi ideja për një profil të tillë “biznesi”?
Ideja lindi pas një kërkese të një mikut tim, i cili më kërkoi të krijoja një “Ninullë” për vajzën e tij të vogël në fomatin audio. Pasi fillova të krijoja, po mendoja si t’ia prezantoja sa më mirë. Në fillim, mendova ta vendosja në kornizë partiturën, por problemi ishte si do dëgjohej melodia. Atëherë vendosa që të shtoja dhe QR codin në partiturë që të dëgjojej sa herë që ai dëshironte. Pasi mora reagimin e tij, vendosa që këtë ide ta prezantoja dhe për të tjerët nëpërmjet një faqeje në Instagram, ku secili mund të krijojë melodinë e tij unike.
Si funksionon pjesa e QR code? Mund të jetë e aksesueshme për të gjithë?
Në ditët e sotme teknologjia ka arritur majat. QR code nuk është gjë tjetër veç një “bar code” që po gjen përdorim masiv. Të gjithë janë në përdorim të një smartphone dhe, pa përjashtim, në menunë e tyre kanë të përfshirë skanerin e QR code, me anë të të cilit gjenerojnë një link në internet. Në rastin tonë, linku ku njerëzit mund të dëgjojnë melodinë e tyre.
Pse një melodi është një dhuratë më e veçantë se të tjerat?
Një melodi mbetet gjithmonë një melodi, por në ketë rast është më e veçantë, sepse është e kompozuar posaçërisht për dikë që ju e keni mjaft përzemër dhe, me siguri, ju bën shumë të lumtur.
Sa e vështirë është të krijosh një partiturë për një njeri që nuk e njeh?
Para se të krijoj, unë natyrisht marr disa informacione në lidhje me atë që do të marrë dhuratën, për shembull pyes për moshën, natyrën, preferencat muzikore dhe, natyrisht, pyes edhe për motivin e dedikimit të dhuratës. Kjo më lehtëson shumë punë në krijimet e mia.
Domethënë, duhet ta njohësh natyrën e atij të cilit po i dedikohet një melodi?
Patjetër, vepra muzikore (kështu do ta quaja unë, pavarësisht se kemi të bëjmë me një pjesë të vogël rreth 35-40 sekonda), duhet ta emocionojë atë. Pra, qëllimi është që ai që e merr këtë melodi dhuratë të gjejë veten aty.
A është e kuptueshme për masën një partiturë në kornizë?
Qëllimi në vetvete nuk është partitura, por muzika që fshihet brenda saj, pasi jo të gjithë dinë të deshifrojnë një partiturë. Partitura është një element i rëndësishëm në punimin tonë, pasi i jep një pamje të veçantë fotografisë që ne prezantojmë. Pastaj është një element që tërheq vëmëndjen e atij që e shikon, sepse një partiturë e vendosur në kornizë është dicka e rrallë dhe e bën kureshtar atë që e sheh.
Si e kanë pritur ata që e kanë marrë një dhuratë të tillë?
Në momentin e parë që e kanë parë, kanë mbetur të habitur. Ka pasur nga ata që nuk e kuptonin domethënien e dhuratës. Pastaj çdo gjë ka ndryshuar kur e kanë dëgjuar melodinë e dedikuar për ta. Këdo mund të emocionojë një melodi e personalizuar.
Ndryshon një melodi ditëlindjeje nga një dedikim dashurie apo dedikime të tjera specifike?
Fatmirësisht, muzika është një disiplinë e artit që ka larmi mjetesh për të shprehur emocione të ndryshme. Patjetër që muzika ndryshon sipas asaj që ajo do të shprehë qoftë një gëzim, dashuri, melankoli, lojë (scerzo) etj.
Cilat janë hapat që ndiqni për një realizim të tillë?
Gjëja e parë që bëhet është krijimi i një ideje duke marrë parasysh karakterin, moshën, marrëdhënien që kanë me njeriun për të cilin po krijohet një melodi. Më pas vazhdon puna në piano, hidhen motivet e para të muzikës dhe pas kësaj, ajo konkretizohet në partiturë. Një gjë shumë e rëndësishme e punimit tonë është dhe paraqitja grafike, që i jep formë krijimit përfundimtar. Për këtë të fundit kontribuon edhe bashkëshortja ime (edhe ajo muzikante), që të krijojmë një punim të bukur nga ana vizuale.
View this post on Instagram
Sa kohë i duhet një kompozimi muzikor deri në formën përfundimtare?
Gjithmonë krijimi artistik është i lidhur ngushtë me frymëzimin. Nuk mendoj që ka një kohë të caktuar, por për formatin tonë është e mjaftushume një periudhe kohe që varion nga 1deri në 3 ditë derisa të marrë formën përfundimtare, sepse flasim për një pjesë të vogël muzikore.
Çfarë natyrash janë kërkesat e klientëve që zgjedhin të bëjnë dhuratë një partiturë?
Kam hasur edhe persona që kanë dashur që muzika të jetë hip pop. Normalisht ka të ndryshëm, ashtu si karakteret e ndryshme të njerëzve dhe situatave që ata duan të celebrojnë. Por mbizotëron tema e dashurisë. Partnerët ia dedikojne njëri-tjetrit një melodi, është dhuratë e vaçantë.
Cilat janë instrumentet që përdorni më së shumti në krijimet tuaja?
Pa dyshim është piano si instrument kryesor, që të jep një pafundësi mundësish për t’u shprehur, po nuk mungon dhe përdorimi i instumenteve të tjera si violina, accordeon (firzamonika) apo flauti.
Pse duhet të bëjmë një dhuratë të tillë për Shën Valentin?
Sepse është një dhuratë unike dhe me shumë dashuri brenda. Si vetë muzika…
Kush është Enea Sadushi?
Enea Sadushi është diplomuar në Universitetin e Arteve, në Tiranë, dega Dirigjim. Mësimet e para në muzikë i ka marrë në moshë shumë të vogël në qytetin e lindjes, Berat, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Pasioni për instrumentet muzikore bëri që Enea ta kuptonte shpejt rrugën që do të zgjidhte në jetë.
Menjëherë pas diplomimit në Unversitetin e Arteve, me rezultate të shkëlqyera, ai punoi për disa vite si pedagog i ftuar në UART në lëndët: Deshifrazh Orkestral dhe Analizë Forme dhe më tej edhe në lëndët Lexim Partiture dhe Harmoni Stilistike.
Me një CV mjaft të pasur profesionale dhe pjesëmarrës në dhjetëra koncerte në rolin e dirigjentit, Enea ka qenë shpeshherë në krye të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura. Po kështu, ai është bërë pjesë edhe e koncerteve me vepra premierë të kompozitorëve Enis Mullaj dhe Edison Picari, së bashku me orkestrën e UART, si dirigjent.
Mes shumë koncerteve të dirigjuara prej tij, mund të përmendim “Krishlindje në Tiranë 4”, “Yjet në Lëkurs”, transmetuar në Tv Klan, etj.