Nga Mira Kazhani, Tirana Post
Në këtë mars po flasim për gratë, jo siç kemi bërë çdo vit, por për shkak të luftës, ato shfaqen me një tjetër lartësi. Gratë janë të forta. Kush nuk e di sa frikë kanë burrat nga dentisti apo një temperaturë e lehtë?! Ndoshta se ata janë të projektuar pa dhimbjen, që për gratë është kusht që jeta të triumfojë.
Tani të kuptohemi, ka gra llastica, intrigante, etj etj, por mua më pëlqen të intervistoj ato të dhimbjes dhe forcës, sepse lexuesit në Tiranapost janë një ekosistem i vyer dhe uroj mos t`i kem zhgënjyer deri më sot me personazhet që zgjedh. Nëse do ndodhë ndonjë ditë, do të më vijë keq.
Vjosa Berisha! Nuk e njihni të gjithë, por me siguri ka plot në Tiranë që e dinë Vjosën me flokët karrotë dhe energjinë e dlirë të saj. Nga të parat dhe ndoshta të paktat prishtinalie që ka rezistuar me biznesin e saj në Tiranë. Kur e pashë pa flokë, verën që shkoi mendova një trend, por më vonë mësova se ishte thjesht për shkak të kimioterapisë.
Po të shkoni tani, ndërkohë që lexoni këto rreshta, dhe të hapni Instagramin e Vjosës, do shihni një njeri që vishet plot stil, që bën gym, që qesh fort e puthet. Jeton sikur sëmundja të jetë aty, por nuk e ka sëmurur jetën e saj. Është thjesht në trup dhe jo në mendjen e Vjosës.
Gjatë intervistës me të, përjetova një çlirim dhe e gjeta veten duke mos folur me arra nëpër gojë, sepse ajo e bëri aq të thjeshtë bisedën tonë, pa u ndjerë në siklet se mos nuk duhej ta përmendja kancerin. Tani që e mendoj dhe sa herë do ta mendoj Vjosën, do kem besim se njeriu është doktori më i mirë i vetes, psikologu apo mësuesi i letërsisë dhe matematikës.
S`di nëse shumë nga ne do e kishin atë ushtri brenda kraharorit që mund çdo dyshim, apo tabu, por Vjosa Berisha që po shkon tek të 50-tat është një shëmbëlltyrë e forcës dhe dhimbjes. Dhe si një nxënëse e mirë në matematikë ajo do t`ju zbulojë formulën me të cilën po shëron kancerin.
"Matematika ishte një lloj kalkulimi, por motoja ime në gjithë këtë proces, sepse unë ende jam me terapi, jam ende duke marrë kimioterapi dhe jam ende në proces të shërimit, motoja ime është se përderisa nuk ma pengon jetën e përditshme, nuk ma pengon punën, dmth, jam unë zhvilluar një jetë, siç e kam zhvilluar para se ta zbuloj kancerin që e kam në trup dhe përderisa mua nuk më pengon në asnjë hap timin, atëherë unë do të vazhdoj edhe do ta jetoj jetën siç e mendoj. Siç e kam jetuar gjithmonë."