“Zonja e Parë” në vendin tonë më shumë sesa një detyrë, është një titull që merr bashkëshortja e Presidentit të vendit.
Ndonëse kryesisht në hije, Zonjat e Para të Shqipërisë kanë qenë gra të suksesshme, por përgjithësisht të tërhequra nga fokusi mediatik. Ka patur raste kur veç daljeve të tyre protokollare, ato kanë folur në media për histori skandalesh, thashethemesh, apo vështirësish. Tashmë Shqipëria bëhet gati të mirëpresë një tjetër Zonjë të Parë. Armanda Begaj do të mbajë këtë titull për 5 vitet e ardhshme. Teksa tashmë kanë nisur të mësohen detajet e para rreth saj, ne po ju risjellim edhe njëherë në vëmendje disa nga Zonjat e Para ndër vite. Copëza nga rrëfimet e tyre, historitë e dashurisë, ditët e vështira dhe roli në Presidencë…
Liri Berisha
Ndër Zonjat e Para të vendit tonë, ndoshta Liri Berisha është më e njohura. Bashkëshortja e ish-Presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha edhe ditët e sotme është një personazh i mediatizuar. Daljet e saj në media janë të rralla dhe vetëm për evente të rëndësishme. E njohur si një zonjë e paqtë dhe e angazhuar në kauza sociale, ajo për vite ka drejtuar edhe Fondacionin Fëmijët Shqiptarë. Vitin e fundit ajo erdhi për publikun shqiptar edhe me librin, “Nënë Tereza në jetën time”.
Ndër vite, Liria ka qëndruar krah bashkëshortit të saj, duke e mbështetur publikisht në sfidat dhe në angazhimet e tij politike. Megjithatë, vetë ka zgjedhur të jetë pak prezente në media, duke u rrëfyer rrallë për publikun.
“Ai ka shumë shije në të veshur madje jep shpesh mendime edhe në arredimin e shtëpisë. Edhe veshjet ne i kemi zgjedhur gjithnjë bashkë. Një defekt i tij është se gjithë jetën ka ecur shumë shpejt. Ka një hap gjigand. Dhe kur dalim bashkë nuk arrij të ec dot me ritmin e tij. Kjo ka qenë shpesh arsyeja e zënkave tona ndoshta. Kur dilnim ai ecte dhe mua më duhej të vrapoja për të qëndruar në krah të tij. E meta e tij më e madhe do thosha se është moskufizimi i orarit të punës. Dita e tij zgjat pa mbarim. Kjo ka qenë një e metë që ia kam njohur që në fillim, por që më pas filloi ta rëndojë paksa edhe familjen”.
Më tej Berisha flet edhe për rolin e bashkëshortit të saj si baba, duke na sjellë imazhin e një tjetër personazhi nga ai që ishim mësuar të shikonim më llogoret politike.
“Ka qenë dhe është baba shumë i butë, i dashur dhe i përkushtuar. Edhe kur ka qenë mjek ai ka punuar me orë të gjata, ndaj më është dashur mua të jem më e rreptë dhe rregullatore me fëmijët. Kur ai kthehej në shtëpi, në familjen tonë vinte hareja. Kjo është arsyeja pse darkat në familje i kemi shijuar dhe i shijojmë edhe sot. Unë kam gatuar gjithnjë shumë mirë, sepse e kisha pasion dhe gatuaja me shumë dëshirë për familjen time. Ai nuk hante askund përveçse nga dora ime. Ai nuk i ka qejf drekat e darkat në restorante. Tani mënyra jonë e ushqimit ka ndryshuar paksa, sepse ushqehemi në mënyrë dietetike. Kryesisht gatuajmë vetëm perime me peshk dhe mish. Saliu ka një vullnet të jashtëzakonshëm që e tregon kudo dhe si i tillë është shumë strikt edhe me ushqimin”, do të zbulonte Liria, në vitet kur Berisha ishte kryeministër.
Ndërkohë që ishte Zonja e Parë e vendit, daljet e saj ishin edhe më të kufizuara, duke u shfaqur në ato pak dalje publike krah bashkëshortit të saj.
Lidra Mejdani
Kur Rexhep Mejdani u bë President i vendit, pak dihej për bashkëshorten e tij. Megjithatë në qarqet e arsimit, Lidra ishte shumë e njohur si një ndër mësueset më të njohura të Matematikës. Edhe pasi bashkëshorti i saj mori detyrën e lartë, Lidra vijoi krejt normalisht detyrën e saj si mësuese në gjimnazin ‘Ismail Qemali’.
Gjatë atyre viteve, familja presidenciale ishte mjaft e tërhequr, duke u kufizuar tek detyrat e tyre dhe duke mos preferuar të ishin shumë prezent në media. Pas shumë vitesh, Lidra ka folur në media për angazhimin e saj si Zonja e Parë e vendit. Duket se krahas punëve të shtuara, edhe këndvështrimi i saj për Shqipërinë ka ndryshuar gjatë viteve të Presidencës së bashkëshortit të saj.
“Kanë kaluar 17 vjet nga ato kohë kur President ishte Rexhep Mejdani, por ama bëmë çfarë ishte e mundur në ato kushte që ishin. Sepse mendoni që ishte periudha 1997-2002, që ishte një periudhë e vështirë për Shqipërinë. Por unë edhe fitova shumë. Në atë kohë mendoja se Shqipëria ishte rrethi im familjar, m’u desh të shëtisja gjithë Shqipërinë dhe pashë që kishte shumë familje në nevojë, kishte dhunë, nuk kishte barazi gjinore. Dhe unë pata një ndërgjegjësim, që jo vetëm politika, por edhe më gjerë të bënin diçka që Shqipëria të ndryshonte. Dhe një nga përpjekjet e mia ka qenë që gratë të përfshiheshin në politikë. Kisha atë ëndrrën për barazi sociale, por nuk janë aq entuziaste për këtë gjë. Pasi kam dëgjuar që gra nga Shoqëria Civile janë futur në politikë dhe thonë kisha frikë se mos kur të futesha në politikë do humbisja feminilitetin tim. Pra të ndryshon ambienti. Por unë shikoj një mesatarizim, që nuk dalin nga ato çka thotë partia, që nuk e ngrënë zërin.”
Mirela Moisiu
Alfred Moisiu ishte një emër surprizë kur ai u propozua për President. Ndoshta për herë të parë, një figurë jashtë politikës merrte postin më të lartë të shtetit. Por në këtë rast, Shqipëria nuk kishte një Zonjë të Parë, pasi bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Ish-bashkëshortja e Presidentit Alfred Moisiut quhej Milica Moisiu.
Ajo ishte nga Tirana dhe ka mbaruar Institutin e Fizkulturës. Ka punuar si arsimtare dhe janë të shumtë ata që e mbajnë mend si mësuese të spikatur në Tiranë. Moisiu u bë President vetëm një vit pasi kishte humbur gruan e tij Milicën. Moisiu, i zgjedhur president pas një marrëveshjeje mes Berishës e Nanos, ishte i dyti president ndër 6 presidentët e vendit (bashkë me Ramiz Alinë), që gjatë kohës së mandatit presidencial ishte i ve. Ai kishte tri vajza dhe një djalë.
Në pritjet zyrtare, Moisiu mbante në krah vajzat e tij, doktoreshën e njohur Rubena Mosiu, por edhe Mirela Moisiun, e cila e shoqëronte kryesisht në vizitat zyrtare. Ndryshe nga Rubena, e cila është një personazh mjaft i njohur në vend për shkak të profesionit të saj, Mirela ka qenë më e tërhequr. Ajo mbante vendin e Zonjës së Parë në takimet zyrtare, por ka zgjedhur që të qëndrojë larg zhurmës mediatike, duke mos preferuar që të jetë aktive në media.
Teuta Topi
Teuta Topi kishte një natyrë të tërhequr, nuk i pëlqente vëmendja dhe këtë e rrëfeu vetë që në daljen e saj të parë publike. Bashkëshortja e Presidentit Bamir Topi, në intervistën e dhënë si Zonja e Parë e vendit, deklaronte se ishte një tip shumë i tërhequr dhe kur mori vëmendjen e të gjithëve, u ndje pak në siklet.
“Më shqetëson shumë, me thënë të drejtën. Unë ndihem më e emocionuar tani që flas me ju, sesa kur Bamiri bëri betimin dhe mori detyrën e tij si president. Tani, dashur pa dashur, jemi kthyer në qendër të vëmendjes. Por unë nuk e pëlqej shumë dukjen dhe të qenit gjithnjë e shigjetuar. Mendoj se duhet të jem e tillë vetëm atëherë kur duhet të jem dhe kur më takon, për gjëra shumë të rëndësishme. Nuk më pëlqen që jeta ime e përditshme të dalë në treg. Do më pëlqente t’i fshihesha kësaj dukshmërie. Nëse më parë vija në punë dhe isha e pavështruar nga shikimi i të tjerëve, tashmë dhe kjo gjë më është kthyer në problem. Kanë shkuar gazetarët dhe tek vëllai, tek babai, tek fqinjët. Më duket e ekzagjeruar. Është një situatë që nuk përcillet këndshëm tek unë. Por tani jetojmë në demokraci dhe liria e fjalës ekziston”, shprehej Teuta në intervistat e saj të rralla.
Në atë kohë po përflitej shumë edhe për një divorc mes tyre, ndaj ky ishte momenti kur Teuta Topi sqaroi njëherë e mirë se mes saj dhe Presidentit çdo gjë ishte në rregull.
“Marrëdhënia jonë shkon mirë dhe jetojmë me njëri-tjetrin normalisht. Jemi shumë të lidhur si familje, në të gjithë komponentët. Mirë nuk më ka ardhur kur i kam dëgjuar. Unë kam shumë rreth miqësor, shumë të zgjeruar dhe të gjithë kanë ardhur për të më pyetur. Kanë qenë të shqetësuar për këtë gjë që kanë dëgjuar. Janë sqaruar të gjithë që gjërat ishin ndryshe dhe ne ishim si gjithnjë bashkë. Por sigurisht që një thashethem i tillë për një person të njohur do kishte përmasa të tilla shpërhapëse, nuk mund ta imagjinonim. Ne nuk mund të pengonim përhapjen. Llafi merr dhenë. Unë mendoj se shumë gjëra janë hamendësi. Ne jemi një çift shumë i konsoliduar. Nuk më pëlqen që për këtë gjë të bërtas. Mund t’ju tregoj dhe një fakt. Kemi qenë së bashku në plazh dhe duke u kthyer, na mbaroi karburanti në rrugë. Atëherë Bamiri me vajzën shkuan për t’u furnizuar. Të nesërmen folën gazetat se Bamiri ishte parë në rrugë me një vajzë të re. Mendoj se të futesh në politikë ka dhe riskun e vet. Politikanët gjithnjë paragjykohen”, sqaronte Zonja e Parë e vendit në atë kohë.
Odeta Nishani
Odeta Nishani, mbante detyrën e drejtoreshës së Studimit të Tregut dhe Statistikave Turistike, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kur u zgjodh Zonja e Parë e vendit. Ndryshe nga zonjat e tjera, Nishani është treguar disi më e hapur me mediat, duke zbuluar herë pas here edhe sfidat që ky post ka pasur për të.
“Zgjedhja ishte një moment i papritur në jetën tonë dhe unë nuk dija si të veproja,”- u shpreh Zonja e Parë teksa kujton momentin e parë kur Bujar Nishani u shpall President i Shqipërisë. “Krahas gjërave të bukura ka dhe shumë probleme. Të jesh ‘Zonjë e Parë’ në Shqipëri është e vështirë, duke patur parasysh çfarë përfaqëson. Nuk ke një ndihmë, nuk ke një zyrë, nuk ke një ndihmëse, nuk bëhet fjalë pastaj për imazhin, që të kesh një stilist apo parukier, çdo gjë duhet ta kërkosh dhe ta gjesh vetë, duhet të përshtatesh me protokollin e vendeve të tjera. Në çdo vizitë marrim programin dhe kodin e veshjes dhe duhet të nxitosh që t’i përshtatesh.”
Dhe në fakt veshja ka qenë një ndër faktorët kryesorë që e kanë bërë Odeta Nishanin pjesë të lajmeve në portale dhe media.
“Unë kam mbaruar fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit dhe nuk kam qenë një person i ekspozuar në kamera, nuk më pëlqente të ekspozohesha apo të isha një person mediatik. Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Të qenit në këtë pozicion më vuri përballë mediave, e pamësuar, dhe për hir të bashkëshortit kam ndjerë dhe goditjet politike. Politika në Shqipëri është ‘një luftë burrash e ashpër’, por nuk mendoja se do të merreshin edhe me mua,”- përfundoi znj. Nishani.
Monika Kryemadhi i lë stafetën të bijës, Erës
Monika Kryemadhi ishte e para grua që refuzoi të merrte postin e Zonjës së Parë. Teksa bashkëshorti i saj u betua si President i vendit, ajo mori detyrën si kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Të gjithë menduam se do të ishte vajza e madhe e çiftit që do të merrte këtë detyrë, por nuk ndodhi kështu.
Me ç’dihet, Bora studion jashtë Shqipërisë dhe duhet ta ketë pasur të pamundur për të ardhur, por vendi i Zonjës së Parë nuk ka mbetur bosh edhe pse mosha është ulur. Ishte pikërisht vajza e vogël e çiftit Meta, Era, që e mori këtë detyrë, ndonëse në moshë minorene. Ajo është shfaqur në krah të babait të saj në dalje të rëndësishme publike. Megjithatë, në vizita jashtë vendit dhe në angazhime të tjera politike, Meta është shfaqur krejt i vetëm, duke mos zgjedhur të shoqërohet nga Era.
Armanda Begaj
Tashmë me zgjedhjen e Presidentit të ri, Shqipëria do të ketë një tjetër Zonjë të Parë. Armanda Begaj do të marrë këtë detyrë, pasi bashkëshorti i saj u votua si President. Armanda Begaj ka lindur në vitin 1968 dhe ka ushtruar disa funksione në administratën shtetërore si punonjëse, ku ndër të fundit ishte edhe specialiste IT pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit. Familja e re presidenciale përbëhet nga katër anëtarë, ku veç Presidentit të zgjedhur, Bajram Begaj dhe bashkëshortes së tij, Armanda janë edhe dy djemtë 21 dhe 18 vjeç. Pak dihet për familjen e re presidenciale, megjithatë jemi të sigurt që gjatë viteve të Presidencës, do të zbulojmë detaje të reja nga Zonja e Parë, por edhe nga dy djemtë e çiftit presidencial.
Marrë nga Panorama Plus