
Në 2022 nisi të flitej për “butter a la mode”. Në dy javët e fundit, gjalpi ishte përhapur, shpërndarë dhe “lyer” në çdo sipërfaqe e në rrjetet sociale, shkruante New York Times. Trend-i në fjalë, krejt kulinar, ishte butter board: një dërrasë druri ose pllaka guri ku gjalpi zbutet dhe shërben si bazë ku ngjiten lule të ngrënshme, copa frutash dhe djathëra. Një lloj moodboard-i për estetikët e aperitivit në shtëpi. Brenda pak vitesh, gjalpi doli nga kuzhina dhe u ngjit në pasarela. Kështu u fol për “yellow butter”, gati e kudogjendur në koleksionet pranverë-verë 2024, me jehonë të qartë edhe në 2025.
Por lidhja mes kuzhinës dhe modës është e fortë: mjafton të kujtojmë mocha mousse, atë kafen e çokollatë-kafe që ngjyrosi koleksionet e vjeshtës së kaluar, apo të bardhën “qumësht”, që Pantone e zgjodhi si nuancë të 2026-s. Ishte thjesht çështje kohe përpara se një tjetër mani e “hedonistëve të shijes” të rishpikej si ngjyra e pranverë-verës 2026. Dhe ja ku vjen matcha: një lloj çaji jeshil pluhur, i përdorur në ceremonitë japoneze të çajit, që u bë super-popullor në zonat urbane të “wellness”-it falë antioksidantëve dhe atij jeshilit barishtor, të papërmbajtshëm për sy.
Në Milano, brenda një rrezeje prej gjysmë kilometri nga Duomo, numërohen rreth dhjetë “matcha bar”. Janë aq pranë njëri-tjetrit sa i bën në këmbë për më pak se pesë minuta. I përzier me erëza ose me qumështra bimore, matcha shitet nga pesë euro filxhani. Në Europë, shitjet janë rritur me mbi 100% në vit që nga 2020. Një rritje që reflektohet edhe në numrin e përmendjeve në rrjete dhe në tregun global, i cili ka kaluar katër miliardë. Kafenetë me dizajn në nuanca mahogany janë kthyer me qëllim në një branding jeshil pastel, me matcha-n si “santino” i ri: një ngjyrë që mund të tregojë po aq për ty sa edhe një palë Tabi.
Kështu lindi termi “matcha girl”: vajza të veshura njëngjyrëshe, në të njëjtën nuancë me pijen që po e pijnë. Në Pinterest, kërkimet për “matcha aesthetic” dhe “matcha outfit” janë në rritje. Ndërkohë në botën beauty, matcha po rizbulohet si përbërës që mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit të lëkurës, falë kafeinës natyrale dhe vitaminave B dhe C. Sot gjen lehtësisht pastrues me matcha, disqe të lagura me matcha, serum “double matcha” dhe scrub me shije bubble tea matcha.
Disa ide për ta futur “përbërësin must” të momentit edhe në garderobën e pranverës: thjesht mendo jeshilen matcha si ngjyrën që e bën look-un të duket i freskët, “clean” dhe paksa i kuruar pa u lodhur, tamam si një filxhan matcha në dorë.
