Pas 93 koncertesh në mbarë botën, Dua Lipa mbylli turin e saj “Future Nostalgia” në Tiranë, në një datë të shënuar si 28 Nëntori, dita e Pavarësisë. Për gati dy orë, ajo performoi në sheshin “Skënderbej” disa nga hitet më të mëdha, shoqëruar me super performanca, fjalë zemre por edhe lot. 

Koncerti nisi me Elvana Gjatën e cila këndoi për të pranishmit disa nga këngët e saj më të suksesshme. E pas saj, u ngjit në skenë Dua.  

Autorja e shumë hiteve ndryshoi disa herë veshjen e saj, duke u shfaqur fillimisht me një jumpsuit të argjend dhe të kuq. Si në hyrje, ashtu edhe në fund të koncertit Dua elektrizoi fansat teksa realizoi me duar shqiponjën dy krenare, simbolin e fuqishëm shqiptar dhe më pas vendosi mbi supe flamurin kuq e zi. 

Pas një pune kolosale dhe të lodhshme prej artistes dhe ekipit të saj, fundi i turit “Future Nostalgia” u shoqërua me lot nga Dua në sheshin ‘Skënderbej”.

Ajo falenderoi të gjithë shqiptarët dhe fansat e saj për suportin që i kanë dhënë, si edhe i uroi për festën e Pavarësisë: “Faleminderit shumë, urime 110 vjetorit të pavarësisë. Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut, këtu sot përfundojmë në Tiranë me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu”, u shpreh Dua teksa u përlot. 

Ajo gjithashtu dha një mesazh shumë të rëndësishëm gjithë konferencës për shtyp para koncertit. Ylli ndërkombëtar tha se duhet të ndryshohet stigma ndaj shqiptarëve, lidhur me përcaktimet raciste nga Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, ndërsa vuri theksin edhe tek rëndësia e liberalizimit të vizave të Kosovës. 

E pyetur nga gazetarët, ajo ka thënë se pas mbylljes së turit të saj ajo do të fillojë të merret menjëherë me albumin e saj të tretë, por ka shtuar se këtë e shikon si një periudhë pushimi, pasi nuk do i duhet të jetë më gjatë gjithë kohës në lëvizje.