Në një mbrëmje të butë tetori, ndër zërat e detit që përkëdhelin bregun e Ksamilit, historia e Oborrit Mbretëror Shqiptar mori një kthesë të re një kapitull dashurie, harmonie dhe fillimesh të reja. Ditën e sotme, Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar zyrtarisht fejesën e Princit të Kurorës, Leka II i Shqiptarëve, me Blerta Celibashi, në një ceremoni intime, të mbajtur më 11 tetor 2025, në jugun magjepsës të vendit.
Në njoftimin e bërë publik në rrjetet sociale të Princ Lekës, theksohet:
“Familja Mbretërore ka kënaqësinë të njoftojë fejesën e Lartmadhërisë së Tij, Princit të Kurorës Leka II i Shqiptarëve me Zonjushën Blerta Celibashi. Fejesa u kremtua me gëzim më 11 tetor 2025, në Ksamil, në praninë e familjarëve dhe miqve të ngushtë.”
Një ceremoni që ruajti thjeshtësinë aristokratike, por rrezatoi elegancë në çdo detaj. Në fotografinë e shpërndarë bashkë me njoftimin, çifti shfaqet i qeshur, dorë për dore, nën një dritë të artë që duket sikur përqafohet me ndjenjën e tyre. Blerta, me një fustan krem, të gjatë e minimalist, sjell një finesë të natyrshme që reflekton qetësi dhe forcë; ndërsa Princi Leka II, në kostumin e tij klasik blu të errët, me kravatë të çelët, përçon po të njëjtin mesazh përkushtimi e dinjiteti që kanë shoqëruar çdo paraqitje të tij publike.
Në komunikatën zyrtare të Oborrit Mbretëror, theksohet gjithashtu:
“Familja Mbretërore ndan lumturinë e saj me popullin shqiptar dhe shpreh mirënjohjen më të përzemërt për të gjithë ata që kanë përcjellë urimet e tyre të mira në këtë rast të gëzueshëm.”
View this post on Instagram