Në vitet 1990, shpesh dëgjonim se depresioni është një çrregullim i shëndetit mendor që trajtohet me ilaçe. Fajtori mendohej se ishte serotonina. Sot e dimë se teoria e serotoninës nuk është e saktë, dhe po bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për efektet anësore dhe simptomat që shfaqen kur ndërpriten antidepresivët, siç janë SSRI-të.

Megjithatë, përdorimi i tyre ka vazhduar të rritet ndjeshëm. Në vitin 2000, rreth 1 në 10 amerikanë përdorte antidepresivë, sot është rreth 1 në 6. Në maj, revista Lancet, një nga revistat më prestigjioze mjekësore në botë, publikoi udhëzime të reja për trajtimin e depresionit. Këto rekomandime bazohen në një numër të madh studimesh shkencore dhe identifikojnë katër praktika kryesore, përveç ilaçeve, për trajtimin e depresionit.

Këto nuk janë thjesht mendime të një grupi të vogël specialistësh, por përfaqësojnë një konsensus në rritje mbi të ardhmen e trajtimit të depresionit.

Kërkimet e reja po përqendrohen në katër shtylla kryesore për trajtimin e depresionit.

1. Aktiviteti fizik

Ushtrimet fizike janë mjaft efektive për depresionin. Këtu përfshihen ecja, vrapimi, ushtrimet me pesha dhe joga. Disa studime tregojnë se ushtrimet me pesha janë pak më efektive për gratë dhe të rinjtë, ndërsa joga për burrat dhe të moshuarit.

Ushtrimet nuk ndihmojnë vetëm në djegien e kalorive. Ato përmirësojnë inflamacionin, metabolizmin, gjumin dhe reagimin e trupit ndaj stresit pikërisht faktorët që shpesh dëmtohen nga depresioni. Madje, disa studime tregojnë se ushtrimet mund të jenë më efektive se ilaçet për depresion të lehtë ose të moderuar.

2. Gjumi

Gjumi është shtylla e dytë. Ekspertët rekomandojnë që një i rritur duhet të flejë 7–9 gjumë. Gjumi nuk është luks, por një nevojë thelbësore për shëndetin mendor.

Kur nuk flemë mirë, aftësia jonë për të kontrolluar emocionet bie ndjeshëm për shkak të ndikimit në tru dhe hormonet e stresit. Megjithatë, problemi është se depresioni shpesh shoqërohet me çrregullime të gjumit.

3. Ushqyerja

Ajo që hamë ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e trurit. Dieta ka qenë shpesh e neglizhuar në trajtimin e depresionit, por tani po merr rëndësi të madhe.

Ushqimi ndikon në lidhjen midis zorrëve dhe trurit, në hormonet e stresit dhe në shëndetin e përgjithshëm. Një mikrobiomë e varfër (bakteret e dobishme në zorrë), shpesh e shkaktuar nga ushqimet e përpunuara dhe sheqernat, mund të çojë në inflamacion dhe rritje të stresit faktorë të lidhur me depresionin.

Një dietë mesdhetare e pasur me fruta, perime, drithëra të plota, bishtajore dhe yndyrna të shëndetshme si vaji i ullirit mund të ndihmojë në uljen e depresionit.

4. Psikoterapia

Shtylla e katërt është terapia psikologjike. Një nga gjërat që u neglizhua në vitet ’90 ishte rëndësia e një marrëdhënieje terapeutike një vend i sigurt për të folur për problemet.

Roli i ilaçeve

Një nga aspektet më befasuese është se ilaçeve u jepet më pak rëndësi. Ato mund të ndihmojnë, por funksionojnë më mirë kur kombinohen me terapi.

Gjithashtu, nuk janë për të gjithë. Ato mund të kenë efekte anësore si probleme seksuale, pagjumësi, si edhe simptoma të tjerë kur ndërpriten.

Për dekada, depresioni është parë si një sëmundje e trurit që trajtohet me ilaçe. Kjo qasje u mendua se do të ulte stigmën, por studimet tregojnë se ndonjëherë e rrit atë dhe i bën njerëzit më pesimistë për shërimin.