Mbrëmjen e sotme në orën 21:00 do të mbahet gjysmëfinalja e dytë e ’Eurovision Song Contest 2026’.

Shqipëria përfaqësohet nga këngëtari Alis Kallaçi me këngën “Nan”, e cila do të interpretohet e 13-ta në renditje.

Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka vendosur masa më të forta për votimin, pas kritikave dhe akuzave për manipulime në edicionet e kaluara. Numri maksimal i votave për çdo person është reduktuar në 10.

Votimi për këngëtarin bëhet përmes numrit 13 në vendet pjesëmarrëse të Eurovizionit, sipas kodeve përkatëse të secilit shtet.

Ndërsa, shqiptarët që jetojnë në vende jo pjesëmarrëse mund të votojnë online (www.esc.vote) gjatë gjithë ditës së sotme. Ata nuk do të kenë mundësi të votojnë gjatë transmetimit live të spektaklit, por votimi do të rihapet për pak minuta pas performancës së Shqipërisë dhe në përfundim të spektaklit.

Mbështetja e diasporës shqiptare konsiderohet vendimtare për kualifikimin e Shqipërisë në finalen e madhe të së shtunës.