Këngëtarja Evi Reçi, ka ndarë një nga momentet më romantike të jetës së saj, propozimin gjatë një udhëtimi në Firence nga partneri i saj Kledi Hysa.

Në emisionin “Ftesë në 5”, këngëtarja tha se surpriza ndodhi gjatë festimit të ditëlindjes së saj, në sheshin Michelangelo, një vend që ka pasur gjithmonë një domethënie të veçantë për të.

Mes pamjes panoramike të qytetit italian dhe emocioneve të rikthimit në vendin ku dikur imagjinonte të ardhmen e saj, Kledi u ul në gjunjë dhe i bëri edhe një herë propozim dashurie.

Evi rrëfeu se momenti mori një kuptim krejt tjetër këtë herë, pasi Firencen nuk e vizitoi më si vajza që ëndërronte për jetën, por si një grua e realizuar, bashkëshorte dhe nënë.

E emocionuar, ajo e cilësoi këtë rikthim si një nga kujtimet më të bukura dhe më domethënëse të jetës së saj, duke e kthyer udhëtimin e ditëlindjes në një moment të paharrueshëm familjar dhe sentimental.

Ndërkohë, e pyetur nga moderatorja nëse çifti mendon për një fëmijë të dytë, Evi Reçi u përgjigj me humor: “Të rrisim njëherë djalin…”.