
Aktori turk Can Yaman, protagonisti kryesor i serialit të ri “Sandokan”, ka zbuluar për herë të parë origjinën e tij shqiptare.
Ai ishte i ftuari special i eventit që zhvillohet në Piana degli Albanesi, e njohur ndryshe si Hora e Arbëreshëve, një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh në Itali.
Në një intervistë për mediat italiane, Yaman zbuloi se nëna e tij është nga Kosova, ndërsa babai i tij i përket diasporës shqiptare që mbërriti në Turqi shumë vite më parë.
“U rrita në Suadiye, një lagje banimi në anën aziatike të qytetit, me fusha futbolli dhe basketbolli për djem. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së dytë dhe të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata flisnin shqip mes tyre “, tha aktori.
Atmosfera u bë edhe më emocionuese kur aktori u nderua me çmimin “Premio Hora Skanderbeg”, një vlerësim simbolik për lidhjen e tij me kulturën shqiptare dhe ndikimin që ka tek publiku arbëresh.
Yaman ndau një kujtim shumë personal për babain e tij, të cilin e quajti “idhulli më i madh” në jetën e tij.
“Babai im më tregonte për fëmijërinë e tij, që e jetonte si një shqiptar, me shumë liri dhe duke u rritur mes shoqërisë”, u shpreh aktori mes emocionesh. Deklarata e tij u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, ndërsa shumë fansa e cilësuan momentin si një nga më prekësit e festivalit.
