
Amerikanët po kërkojnë gjithnjë e më shumë lidhje njerëzore. 41% e të rriturve në SHBA thonë se ndihen të vetmuar të paktën herë pas here, sipas raportit “Social Connection in America 2025”.
Kur ndiejnë vetmi, shumë prej tyre nuk u drejtohen menjëherë njerëzve përreth. Sipas sondazhit vjetor për shëndetin mendor nga American Psychiatric Association, 54% shohin TV, filma ose video online, 54% dëgjojnë muzikë, 44% flenë dhe 38% përdorin rrjetet sociale.
Ekspertët e shëndetit mendor nuk janë të surprizuar nga këto rezultate dhe rekomandojnë mënyra më të shëndetshme për ta përballuar vetminë. Nuk ka asgjë të gabuar të shohësh TV, filma apo të dëgjosh muzikë kur ndihesh i vetmuar këto mund të të bëjnë të ndihesh më mirë.
“Mendoj se shikimi i TV-së, videove apo dëgjimi i muzikës janë forma të rregullimit emocional,” thotë Clarindria Addison, këshilluese profesionale e licencuar, duke shtuar se ato mpijnë përkohësisht shqetësimin emocional.
Sipas psikoterapistit Andrew Tepper, ato shërbejnë si një “antidot” që na qetëson dhe na largon nga pasiguritë e jetës.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se gjithçka duhet bërë me masë. Të shohësh disa episode të një seriali kur ndihesh i vetmuar është normale. Problemi nis kur këto zakone përdoren për të shmangur jetën reale, si për shembull të kalosh gjithë ditën duke parë seriale dhe të humbasësh përgjegjësitë e tua.
Addison rekomandon praktika që ajo i quan “rimbushje të qëllimshme”, si: mbajtja e një ditari, lutjet apo meditimi, madje edhe aktivitete të thjeshta si ngjyrosja. Ndërsa Tepper thotë se është shumë e rëndësishme: të dalësh jashtë, aktivitet fizik, dhe të kalosh kohë në natyrë çdo ditë.
Ai rekomandon disa minuta jashtë në mëngjes dhe të paktën 30 minuta aktivitet fizik çdo ditë, idealisht në ambient të hapur. Sigurisht, ekspertët sugjerojnë edhe kontaktin me njerëzit përmes mesazheve, telefonatave apo takimeve reale.
“Njerëzit janë krijesa sociale,” thotë Tepper, duke shtuar se kur ndërveprojmë me të tjerët në jetën reale, truri prodhon hormone si serotonina, dopamina dhe oksitocina, që na bëjnë të ndihemi më mirë.
41% e të rriturve thonë se kur ndihen të vetmuar, flasin me familjen ose miqtë. Për disa njerëz, vetmia nuk vjen domosdoshmërisht nga izolimi, por nga mungesa e sigurisë emocionale kur janë pranë të tjerëve, thotë Addison.
Ajo sugjeron të kërkosh njerëz me të cilët ndihesh rehat dhe të marrësh pjesë në aktivitete apo komunitete që të pëlqejnë.
