
Këngëtarja Dua Lipa dhe aktori Callum Turner, do të nisin sot një tjetër ceremoni martesore, vetëm pak ditë pasi kurorëzuan dashurinë e tyre në Londër.
Sipas raportimeve, çifti u martua më 31 maj në një ceremoni private të mbajtur në Old Marylebone Town Hall, ku morën pjesë vetëm familjarë dhe miq të afërt. Pas asaj, ata janë parë në Palermo të Italisë, ku po bëjnë përgatitjet për një festë më të madhe 3-ditore, duke filluar nga sot!
Fotografitë e publikuara tregojnë Lipën dhe Turner duke shëtitur në Palermo. Këngëtarja ishte veshur me një këmishë të bardhë dhe kapelë sportive, ndërsa Turner me një këmishë ngjyrë kafe dhe pantallona të shkurtra.
Më vonë ata u panë edhe me veshje sportive, teksa vazhdonin organizimet për eventin. Sipas raportimeve, Dua do të veshë një fustan të dizajnuar nga Donatella Versace për ceremoninë, ndërsa organizimi i gjithë dasmës pritet të kushtojë rreth 1.75 milionë euro.
Vetëm suita luksoze ku po qëndron çifti kushton rreth 7 mijë euro në natë. Avioni privat i çiftit mbërriti në Sicili të mërkurën në mbrëmje, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet të mbërrijnë rreth 300 të ftuar, mes tyre emra të njohur të industrisë së muzikës dhe showbiz-it ndërkombëtar.
Festa do të zgjasë tri ditë dhe janë organizuar në disa prej vendeve më prestigjioze të Palermos dhe Bagherias. Një pritje kokteji do të mbahet në Galleria d'Arte Moderna Palermo, për të cilën çifti ka paguar rreth 10 mijë euro për mbylljen e përkohshme të hapësirës për publikun.
Një tjetër event do të zhvillohet në Villa Valguarnera, një vilë historike e shekullit të 17-të, e njohur edhe nga seriali "The White Lotus". Raportohet se vetëm marrja me qira e kësaj prone ka kushtuar rreth 100 mijë euro.
Mbi 50 truproja janë angazhuar nga Londra dhe Roma, janë vendosur zona ku ndalohet fluturimi i dronëve dhe të gjithë punonjësit e përfshirë në organizim kanë nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti.

