
Nëse dikur të rinjtë preferonin jetën e natës me orë të tëra pa gjumë, sot Gjenerata Z po ndjek një trend tjetër.
Një studim në SHBA tregon se të rinjtë po flenë gjithnjë e më herët, me shumë prej tyre që shkojnë në shtrat rreth orës 21:00.
Ky ndryshim bie ndesh me stereotipin klasik të të rinjve që kalojnë net pa gjumë dhe jetojnë jetën e natës. Trendi ‘Night Routine’ po e përforcon këtë kulturë me rituale të gjata relaksi para gjumit.
Ekspertët e lidhin këtë ndryshim me stresin modern, pandeminë dhe ritmin e shpejtë të jetës. Ky fenomen duket se ka arritur edhe Hollywood-in. Emra si Millie Bobby Brown, Hailey Bieber dhe Zendaya kanë treguar se shpesh flenë rreth orës 21:00, ndërsa Nicola Peltz Beckham ka zbuluar se ajo dhe Brooklyn Beckham shkojnë në shtrat edhe rreth orës 20:00.
Sipas autores dhe aktivistes Scarlett Curtis, gjumi i bollshëm është kthyer në simbolin e ri të mirëqenies. Nëse dikur mungesa e gjumit shihej si shenjë suksesi dhe jete të ngarkuar, sot vlerësohen ata që flenë herët dhe zgjohen të çlodhur.
Një rol të madh në këtë ndryshim po luan edhe kultura e TikTok-ut me trendin #NightRoutine, i cili ka mbi një milion postime dhe promovon rutina të gjata relaksi para gjumit. Për shumë të rinj, përgatitja për gjumë është kthyer në një ritual që mund të zgjasë me orë.
Rutina tipike përfshin largimin nga telefonat, organizimin e ambientit, qirinj aromatikë, ushtrime të lehta, kujdes për lëkurën, mbajtjen e ditarit, lexim dhe meditim, duke përfunduar shpesh me çaj bimor ose “sleepy girl mocktails”.
