
Përdorimi i përditshëm i telefonit dhe pajisjeve të tjera teknologjike nuk ndikon vetëm te shëndeti mendor, por edhe te trupi ynë. Sipas ekspertëve, orët e gjata para ekranit mund të shkaktojnë ndryshime fizike që shpesh kalojnë pa u vënë re, duke prekur qafën, shikimin dhe duart.
Një nga problemet më të zakonshme është i ashtuquajturi "tech neck" (qafa teknologjike). Përkulja e vazhdueshme e kokës për të parë telefonin ushtron deri në 27 kilogramë presion mbi qafën, gjë që me kalimin e kohës mund të dëmtojë disqet e shtyllës kurrizore, nyjet dhe muskujt, madje edhe të ulë kapacitetin e mushkërive. Ekspertët këshillojnë që telefoni të mbahet në nivelin e syve dhe të bëhen pushime të shkurtra nga ekrani çdo 20-30 minuta.
Një tjetër shqetësim që po diskutohet gjithnjë e më shumë është shfaqja e rrudhave në qafë si pasojë e qëndrimit të vazhdueshëm me kokën përpara. Dermatologët thonë se teoria ka kuptim, pasi lëvizjet e përsëritura mund të favorizojnë krijimin e rrudhave, megjithatë ende mungojnë studime që ta vërtetojnë përfundimisht këtë lidhje.
Edhe përdorimi i vazhdueshëm i orëve inteligjente mund të shkaktojë irritime të lëkurës. Zona nën orë krijon një ambient të ngrohtë dhe të lagësht që favorizon zhvillimin e baktereve duke rritur rrezikun për ekzemë ose alergji. Specialistët rekomandojnë heqjen e orës herë pas here dhe pastrimin e rregullt të lëkurës.
Ndërkohë, rastet e miopisë po shtohen në mbarë botën. Sipas studiuesve, problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me telefonin, por me faktin se teknologjia na mban më shumë brenda ambienteve të mbyllura. Koha e kaluar jashtë, në dritën natyrale, duket se ka një efekt mbrojtës për zhvillimin e syve.
