Sezoni i ri televiziv pritet të sjellë një garë si asnjëherë më parë mes tre prej reality show-ve më të ndjekur në trojet shqiptare. Nëse planet e produksioneve realizohen, “Ferma VIP”, “Big Brother VIP Kosova” dhe “Big Brother VIP Albania” do të transmetohen në të njëjtën periudhë, duke e kthyer vjeshtën dhe fundin e vitit në një betejë të fortë për audiencën.

Prej javësh flitet për rikthimin e “Big Brother VIP Kosova” me sezonin e pestë. Në rrjet kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të personazheve që mund të bëhen pjesë e formatit, megjithëse deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni.

Ndërkohë, surpriza më e madhe pritet të vijë nga “Ferma VIP”. Sipas informacioneve që kanë qarkulluar së fundmi, edicioni i katërt mund të mos nisë në muajin mars, siç ka ndodhur në tre sezonet e mëparshme, por të rikthehet që në tetor.

Nëse kjo ndodh, “Ferma VIP” do të përballet drejtpërdrejt me “Big Brother VIP Kosova”, ndërsa gara për vëmendjen e publikut do të bëhet edhe më intensive në muajin dhjetor, kur pritet të nisë edhe sezoni i gjashtë i “Big Brother VIP Albania”. Për herë të parë, tre reality show-t më të mëdhenj shqiptarë mund të transmetohen paralelisht.

Sinjalet se puna për sezonin e ri të “Ferma VIP” ka nisur janë shtuar edhe më shumë pas reagimeve të producentit Eraldo Rexho dhe producentes ekzekutive Holta Dulaku. Përmes rrjeteve sociale, ata u kanë kërkuar ndjekësve të sugjerojnë personazhet që do të dëshironin të shihnin në fermën më të famshme në Shqipëri.

Megjithatë, një nga çështjet që vazhdon të mbetet e paqartë është emri i moderatores ose moderatorit të sezonit të katërt. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse Arbana Osmani do të vazhdojë ta drejtojë formatin, ndërsa produksioni nuk ka bërë ende publik ekipin që do të udhëheqë edicionin e ri.

Deri në një njoftim zyrtar, si data e nisjes ashtu edhe drejtuesi i “Ferma VIP 4” mbeten të hapura. Ajo që duket e sigurt është se sezoni i ardhshëm televiziv premton një konkurrencë të fortë mes tre formateve më të ndjekura të reality show-ve shqiptare.